Kauza madhore e deputetëve të PS-së përfundon tek protesta për përjashtimin e Taulant Ballës

Edi Rama urdhëron grupin parlamentar socialistë, të bojkotojë sërish seancën e Kuvendit
Kauza më madhore në këto ditë të fundit, që mban peng grupin e deputetëve socialistë, është protesta për masën disiplinore, sigurisht e papëlqyer prej tyre, që lidhet me përjashtimin e Taulant Ballës, dy javë nga punimet e Kuvendit. Duke pasur si “parim” të tijin, zgjidhjet e momentit, Edi Rama, pasi ka harruar listën e stërzgjatur të pretendim-kërkesave, ku nuk mungonte as zbardhja e vrasjes së deputetit Fatmir Xhindi, tashmë ka hequr dorë, dhe në plan të parë, ka nxjerrë si argument në betejën politike, përjashtimin e Taulant Ballës.
Jo më larg se dje, grupi parlamentar i Partisë Socialiste vendosi sërish, të bojkotojë seancën parlamentare të radhës të ditës së sotme, në shenjë proteste ndaj përjashtimit 15-ditor nga punimet e Kuvendit të deputetit Taulant Balla.
I mbledhur dje në mesditë, një ditë para seancës të së enjte, grupi socialist diskutoi në vetëm 30 minuta rreth bojkotit, i cili do të vazhdojë edhe këtë javë.
Grupi parlamentar socialist vendosi gjithashtu të ndihmojë me para familjen e deputetit Fatmir Xhindi, e cila nuk ka pasur mundësi të paguajë kredinë që pas vrasjes se kryefamiljarit të tyre.
Deputetët e PS-së nuk morën pjesë në seancën e 15 prillit, duke protestuar para selisë së Kuvendit me moton "s’ka votë të lirë, pa fjalë të lire", në kundërshtim të vendimit të byrosë parlamentare për përjashtimin dyjavor të deputetit Balla. Ky i fundit, në seancën e 8 prillit përdori një fjalor fyes dhe si pasojë u ndëshkua, sipas rregullores parlamentare.
PS theu bojkotimin gati 6-mujor të Kuvendit të dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit, më 25 shkurt 2010. Gjatë këtyre dy muajve pjesëmarrja e opozitës në parlament ka qenë vetëm për 60 minutat e debatit të lirë, ndërsa nuk është prezente në veprimtarinë e komisioneve parlamentare, duke ripërsëritur kontestimin ndaj zgjedhjeve dhe mungesën e transparencës së procesit.