E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria, vendim për dëmshpërblim financiar të 427 ish-të përndjekurve

Qeveria miratoi dje në mbledhjen e radhës vendimin për dëmshpërblimin financiar të 427 ish-të dënuarve politikë me burgim, në shumën 1.473.405.284 lekë.
Ky vendim, që pason vendimet e mëparshme të miratuara në këtë drejtim, përcakton masat e shpërblimit për të tjerë ish-të dënuar politikë, kërkesat e të cilëve kanë përmbushur kriteret ligjore për përfitim financiar, për ditët e qëndrimit në burgjet politike, nga data 30.11.1944 deri në 1.10.1991, si dhe për familjarët e të dënuarve me dënim kapital.
Vendimi i djeshëm përcakton masën e dëmshpërblimit financiar vetëm për ish-të dënuarit me burgim dhe familjarët e viktimave të të dënuarve me dënim kapital, pasi aktualisht, nga kërkesat e depozituara pranë ministrisë së Drejtësisë, procesi i verifikimit të personave që kanë vuajtur internim në kamp me rrethim me gjemba deri në vitin 1954, ende nuk ka përfunduar.
Gjithashtu, projektvendimi nuk përcakton dëmshpërblimin e personave të dënuar me internim apo dëbim, pasi dëmshpërblimi i këtyre personave do të jetë objekt i një vendimi tjetër të Këshillit të Ministrave.
Kryeministri Sali Berisha kërkoi dje gjithashtu në mbledhjen e qeverisë, që të ndërmerret një ndërhyrje urgjente në të gjithë territorin e vendit për largimin e makinave të prishura dhe për pastrimin e zonave turistike nga mbeturinat. Ai e konsideroi të papranueshme gjendjen e papastërtive në prag të sezonit turistik.
Kryeministri Berisha kërkoi që të bashkëpunohet ngushtë me institucionet që kanë për detyrë mirëmbajtjen e territorit, për pastrimin jo vetëm të zonave të plazheve, por edhe të gjithë vendit nga automjetet e prishura.
"Përsa i përket grumbullimit të mbeturinave, mund të përcaktohet një afat kohor përtej të cilit mos të përdoren më qese plastike, por ato të zëvendësohen me qese letre, siç e kanë edhe shumë vende të tjera", tha Kryeministri Berisha.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›