E Diel, 1 Nëntor 2026

“Kërcënimet për mosbindje civile, dëshmi se e majta ndodhet në një krizë identiteti”

Deputeti Marko Bello komenton lëvizjet politike të ndërmarra nga kryesocialisti Edi Rama

Protesta e paralajmëruar e 30 prillit dhe deklaratat e kryesocialistit Edi Rama, për një protestë të pandalshme deri në rrëzimin e qeverisë, kanë shqetësuar zëra të ndryshëm brenda selisë së PS-së. Në një reagim të tij, deputeti Marko Bello thotë se protestat popullore janë një mjet demokratik, por ato nuk duhet të jenë një qëllim në vetvete.
“Absolutisht protestat nuk duhen ngatërruar me kryengritje të dhunshme dhe rrëzimin e pushtetit, pasi kjo nuk mund të ndodhë në një vend demokratik. Partia socialiste është një parti legale, një parti e madhe, alternativë në pushtet dhe absolutisht do ta marrë pushtetin e vet nëpërmjet votës”, shprehet Bello.
Sipas Bellos, Shqipëria nuk është në kushtet kur mund të aplikohet mosbindja civile, një formë kjo e luftës politike e përdorur në kauza shumë të mëdha.
“Dhe po t’i referohemi ëikipedias, aty del qartë një nga rastet kur ka pasur sukses mosbindja civile. Janë raste të veçanta, rasti i Gandit si në vitet e famshme Gandiste, apo të kohës kur i ndjeri Ibrahim Rugova në Kosovë, në kushte kur nuk mund të bënte një lëvizje paqësore, pasi këto ishin kushtet, ashtu ishin një dhunë e madhe e depresionit serb. U desh civilizimi i opinionin ndërkombëtar dhe UçK, që të bindeshin se atje kishte një gjenocid. Pra, nuk është rasti i Shqipërisë, sepse nuk është Shqipëria e viteve ’90”, shton më tej ai.
Deputeti Marko Bello vlerëson se protesta popullore mund ta detyrojë një qeveri të japë dorëheqjen nëse ekzistojnë disa kushte objektive. Për pasojë, format radikale që kanë për qëllim përdorimin e dhunës do të rezultonin të pasuksesshme. Bello kritikon edhe emërtimin e ri që partia socialiste ka tashmë në statutin e saj, Parti e Qendrës së Majtë dhe Liberale.
“Partia Socialiste ka probleme me identitetin e vet, e gjithë e majta është në krizë për identitetin, sepse në një shoqëri globale siç janë shoqëritë e sotme socialiste, ekonomia e tregut funksionale, unë mendoj se akoma ka nevojë për një rol të shtetit sepse qeveritë liberale dihet që e minimizojnë shume rolin e shtetit, ndërsa ne jemi parti social-demokrate, që synojmë drejt qendrës, por pa mohuar identitetin tonë”, përfundon Bello.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›