Abuzoi me pronat, dorëzohet në Durrës kreu i Hipotekës
DURRES/ OERD ULQINI
Bie në prangat e policisë i fundmi i dosjes “Hipoteka”. Ish-deputeti socialist Alush Xhihani është vetëdorëzuar në Policinë e Qarkut Durrës-Krujë, duke i dhënë fund arratisë trevjeçare. Pak kohë pas arrestimit Xhihani i është nënshtruar edhe një kontrolli mjekësor, pasi gjatë viteve të arratisë qe prekur nga një sëmundje, e cila në kushtet e mungesës së konsultave të specializuara ishte rënduar. Teksa ky shtetas i fshihej drejtësisë togat e zeza të Durrësit e kanë dhënë tashmë vendimin definitiv. Alush Xhihani do të qëndrojë dy vjet pas hekurave, verdikt ky i dhënë nga Gjykata e Apelit më 30 tetor të vitit 2008, pasi është gjetur fajtor vetëm për veprën penale “Shpërdorim detyre”. Në një proces pararendës Gjykata e Faktit të Durrësit e kishte dënuar Xhihanin në mungesë me katër vite burgim, duke e argumentuar këtë vendim me konsumimin e dy veprave penale “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën” kryer në “bashkëpunim” dhe “falsifikim dokumentesh”. Por procesi i kryer në Apel i përgjysmon dënimin ish-deputetit, pasi gjatë tij nuk u vërtetua dot konsumimi i këtyre veprave penale nga Xhihani. Nga ana tjetër Prokuroria gjatë pretencës së mbajtur në 9 tetor të vitit 2006, kishte kërkuar për të një dënim me 15 vjet burg. Por hetimi në mungesë si dhe dëshmitë e mbledhura gjatë seancave të ndryshme e zhveshën titullarin e Hipotekës së Durrësit nga shumë akuza dhe e vetmja që drejtësia arriti të provojë ishte ajo e “shpërdorimit të detyrës”. Me vetëdorëzimin e Alush Xhihanit plotësohet “mozaiku” i dosjes “Hipoteka”. I implikuar në të ishte edhe shtetasi Rezart Skrapari, që ushtronte detyrën e juristit, por që shleu me burg borxhin që i kishte drejtësisë. Xhihani 44 vjeç ka drejtuar Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të Durrësit në periudhën 2001-2003. Më datë 6 mars të vitit 2006, Prokuroria preu mandatin e arrestit ndaj ish-drejtorit të Hipotekës së Durrësit, me qëllim vënien e këtij shtetasi në dispozicion të drejtësisë. Por pikërisht këtu nisi edhe arratia e Xhihanit, e cila do të merrte fund në orët e vona të natës së kaluar. Sipas policisë gjatë të gjithë kohës Alush Xhihani ka qëndruar i fshehur në Shqipëri. Hetuesit nuk e kanë marrë në pyetje 44-vjeçarin lidhur me vendet ku është fshehur, për faktin e thjeshtë se hetimi është i mbyllur dhe se ai e ka marrë tashmë dënimin. Xhihani, Skrapari dhe disa të tjerë u akuzuan për përvetësim të trojeve në zonat bregdetare dhe lagjet rezidenciale të Durrësit.