Studimi, fëmijët diskriminojnë romët
GJIROKASTER - Fëmijët romë dhe egjiptianë (evgjitët) diskriminohen nga bashkëmoshatarët e tyre të bardhë në Gjirokastër. Ky konstatim është nxjerrë nga një studim i kryer nga organizata për mbrojtjen e fëmijëve “Save the Children”. Koordinatorja Arbëresha Mushani pohon se, në bazë të studimeve të kryera nga kjo organizatë apo dhe UNICEF, situata e edukimit në shkollat e rrethit të Gjirokastrës në respektimin e fëmijëve të bardhë për evgjitët dhe romët, është katastrofale. Mbi 80% e fëmijëve të bardhë në shkollat e rrethit të Gjirokastrës, nuk do të donin kurrsesi që të kishin në klasë fëmijë me ngjyrë. Kjo dukuri është sidomos e theksuar në dy shkollat 9-vjeçare të qytetit të Gjirokastrës “Koto Hoxhi” dhe “Çajupi” aty ku dhe është implementuar studimi. Qëllimi i “Save the Children” është integrimi në një shkallë të lartë i këtyre fëmijëve në jetën e përditshme dhe afrimi i fëmijëve të bardhë me ata evgjitë apo dhe romë për të luajtur apo qëndruar së bashku pa paragjykime. Drejtoria e Arsimit Rajonal në Gjirokastër, ka mbështetur iniciativën e “Save the Children” për të minimizuar diskriminim ndaj kësaj kategorie dhe për këtë qëllim ka organizuar sot një takim me prindër dhe fëmijë, duke u vënë theksi tek organizimet e përbashkëta të trajnimeve, mësimeve dhe aktiviteteve social-kulturore si dhe mënyrat për të zhdukur këto raport-marrëdhëniesh që ekzistojnë sot. p.n