Rritet dhuna në familje, në tre muaj 400 gra denoncuan burrat
TIRANE – Kur ende nuk kanë kaluar më shumë se tre muaj që nga fillimi i vitit, policia ka firmosur 400 urdhra mbrojtje pas denoncimeve, që janë bërë për dhunë në familje. Ky është numri që i korrespondon edhe grave që janë dhunuar nga bashkëshortët dhe kanë kërkuar ndihmën e policisë, duke i kallëzuar të gjitha rastet në zyrën, që u vjen në ndihmë dhe që është hapur enkas për dhunën në familje. Një numër i tillë konsiderohet si rekord më vete, duke e krahasuar me vitet e kaluara. Burime nga policia thanë se denoncimi i dhunës që burrat ushtrojnë ndaj grave nuk është më një tabu dhe ka një fluks kallëzimesh që vijnë pothuajse çdo ditë në zyrat e policisë së kryeqytetit por edhe në rrethe. Në shumicën e rasteve gratë për të cilat janë lëshuar urdhra mbrojtje, janë keqtrajtuar në mënyrë të vazhdueshme nga bashkëshortët, por ka edhe raste kur nënat janë rrahur nga djemtë e tyre, apo janë kërcënuar nga familjarët e bashkëshortëve. Të njëjtat burime bënë të ditur se në krahasim me vitet e tjera, jo vetëm me të njëjtën periudhë, por edhe me gjithë vitin, duke iu referuar vitit 2008, kjo është një shifër rekord dhe që sa vjen e shtohet çdo ditë. Disa nga çështjet janë dërguar në gjykatë. Për disa është dhënë vendimi, ndërsa të tjerat janë ende në proces gjyqësor. Përpjekjet individuale dhe institucionale për të studiuar dhe eksploruar mbi dhunën në familje janë shtuar vitet e fundit. Një rekord është shënuar vetëm në muajt e parë të këtij viti, ku ka pasur një fluks denoncimesh. Përveç mungesës së eksperiencës në këtë fushë, përpjekjet për të denoncuar dhunën në familje janë ndeshur edhe me një sërë vështirësish, që kanë të bëjnë edhe me natyrën komplekse të këtij fenomeni. Raste të tilla në Shqipëri vazhdojnë të trajtohen ende si një problem privat, që i përket vetëm familjes dhe jo shoqërisë. Dhjetë vitet e fundit ka nisur një fushatë për sensibilizimin e popullsisë ndaj këtij fenomeni, por siç duket vetëm këtë vit ka arritur të thyhet tabuja nga familjet shqiptare. Shifrat e denoncimeve dhe të urdhrave të mbrojtjes, flasin për një ndërgjegjësim të grave, pasi të paktën rreth 400 prej tyre nuk kanë ngurruar t’i drejtohen policisë, për të kallëzuar dhunën që kanë ushtruar ndaj tyre bashkëshortët, fëmijët, apo edhe persona të tjerë të familjes. e.d