E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria: Italia asnjë dosje për bandat shqiptare në 2008

 

TIRANE – Autoritetet italiane të drejtësisë nuk kanë sjellë në Shqipëri asnjë dosje penale për shtetas nga vendi ynë, që kanë kryer krime në shtetin fqinj. Edhe pse bashkëpunimi mes dy vendeve në luftën kundër kriminalitetit është reklamuar qindra herë, duke pretenduar se është në nivelet maksimale, faktet duket se flasin ndryshe. Në analizën e punës së Prokurorisë së Krimeve të Rënda për vitin 2008, është evidentuar dje se pengesë për hetimin e disa grupeve kriminale është bërë mos ekzekutimi i letërporosive nga pala italiane. Kjo e fundit në fakt, disa herë gjatë këtyre viteve e ka akuzuar Shqipërinë se nuk po arreston shtetasit e saj që kanë kryer krime në Itali dhe janë kthyer e po qëndrojnë të strehuar në vendlindje. Megjithatë përkundër deklaratave apo mesazheve politike që artikulohen mes dy vendeve, Prokuroria e Përgjithshme tha dje se Zyra e krimeve të rënda në Tiranë nuk ka marrë asnjë dosje nga Italia gjatë gjithë vitit 2008. Sipas analizës së punës për vitin që shkoi, rezulton se problematike në ekzekutimin e letërporosive është edhe pala greke. Burimet zyrtare thanë se janë plot nëntë letërporosi të dërguara në Itali dhe po kaq në Greqi, të cilat nuk kanë marrë përgjigje. Prokuroria tha se Greqia ka ekzekutuar dy nga nëntë rastet ndërsa Italia nuk është përgjigjur në asnjë rast. Bëhet fjalë për dosjet e hartuara nga policia apo prokuroria greke dhe italiane lidhur me aktivitetin kriminal të shqiptarëve që janë kthyer në vendlindje. Me qëllim ndjekjen e tyre penalisht për krimet që kanë kryer, Prokuroria e Krimeve të rënda dërgon letërporosi, duke kërkuar provat e mbledhura që ato të hetohen në vendin tonë dhe grupet kriminale të vendosen para ligjit. Në analizën e djeshme të Krimeve të Rënda, kryeprokurorja Ina Rama ka kërkuar që t’i jepet prioritet hetimit financiar për të arrestuarit për trafik droge. Në analizë është theksuar se ka një rritje të dosjeve penale, që janë hetuar gjatë vitit 2008 për krimet e trafikut të drogës dhe armëve krahasuar me vitin paraardhës 2007.                    tr.so

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›