E Diel, 1 Nëntor 2026

Abuzojnë me miqësinë, marrin 13 milionë lekë karburant

Elbasan

Një distributor karburanti në qytetin e Përrenjasit është në prag të falimentimit, pasi tre miq të pronarit kanë përfituar pa pagesë rreth 13 milionë lekë karburant. “Jemi miq të pronarit”, u kanë thënë punonjësve të kësaj pike karburanti për tre muaj rresht tre persona, që në të vërtetë ishin të njohur të pronarit, por nuk kishin “autorizim” për të marrë karburant pa para sa herë të donin. Kur miqtë e pronarit e kanë tepruar, është dashur ndërhyrja e Seksionit Kundër Krimit Ekonomiko-Financiar, që ka filluar procedim penal për shtetasit Ismail Leka 50 vjeç, nga Proptishti i Pogradeci; Ledio Isallari, 38 vjeç, nga Pogradeci dhe Luman Biba, 58 vjeç, nga Durrësi. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Elbasanit, bëhet e ditur se procedimi ndaj tyre filloi pasi në periudha të ndryshme kohe kanë marrë karburant pa paguar në pikën e karburantit që ndodhet në Përrenjas dhe është në pronësi të 54-vjeçarit I.B., banues në Tiranë, duke shpërdoruar besimin e tij. Sipas burimeve policore, secili prej “miqve” të pronarit të këtij distributori ka përfituar mijëra litra naftë e benzinë, duke krijuar një borxh prej 13 milionë lekësh.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›