E Diel, 1 Nëntor 2026

Abuzuan me 800 metra tokë, pranga nëpunësve të Hipotekës

DURRES - Në Hipotekën e Durrësit ka rënë vala e dytë e furtunës. 

Operacioni i koduar “Furtuna 2” ka prangosur në orët e para të mëngjesit hartografin Petrit Maliqati, 53 vjeç dhe juristin e kësaj zyre Olsjon Rrepaj, 28 vjeç. Ata akuzohen për veprat penale të “shpërdorimit të detyrës” dhe të “korrupsionit pasiv”. Ndaj këtyre shtetasve Gjykata e Rrethit Durrës vendosi masën e sigurisë “arrest në burg” dhe fletë-arrestet janë ekzekutuar vetëm dy orë më pas nga efektivat blu. Hartografi Maliqati dhe juristi Rrepaj janë marrë si fillim për t’u shoqëruar nga policia gjatë orarit zyrtar të punës, por më pas atyre u është komunikuar urdhri i arrestit. Goditja e radhës në Hipotekën e Durrësit u krye nga Sektori Kundër Krimit Financiar, i cili pas një pune investiguese finalizoi operacionin “Furtuna 2”, duke bërë të mundur dokumentimin e aktivitetit kriminal nga punonjësit e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Policia bën me dije se, bazuar në një hetim disamujor të këtij sektori, rezultoi se shtetasit Petrit Maliqati dhe Olsjon Rrepaj kanë tjetërsuar dokumentet dhe hartat e një parcele prej 800 metrash katrorë, e cila ndodhet brenda vijës së verdhë të qytetit. Dy punonjësit kanë abuzuar me detyrën shtetërore, duke e regjistruar më pas në favor të Petrit Maliqatit, vëllait e motrave të tij, truallin e ndodhur në lagjen nr.8 të Durrësit. Sipas policisë, hartografi Maliqati ka ndryshuar kufijtë ekzistues të disa pronave të tjera, me qëllim përfitimin e një sipërfaqeje sa më të madhe, ndërkohë që bashkëpunëtori i tij në këtë akt është edhe juristi. Aplikimi i kësaj familjeje mban firmat e hartografit Maliqati dhe të juristit Rrepaj. Hetimet kanë nisur pas denoncimit të disa familjeve të tjera, parcelat e së cilave ishin prekur nga harta e re mbi pronën. Mbi hartografin Maliqati rëndojnë të dyja akuzat, ndërsa ndaj juristit është formuluar vetëm akuza e shpërdorimit të detyrës. Policia nuk ka konstatuar ndonjë lidhje mes të arrestuarve në operacionet “Furtuna 1” dhe “Furtuna 2”, por saktëson se ky institucion është vënë nën monitorimin e vazhdueshëm të Antikrimit Ekonomik. Denoncimet anonime të shumë qytetarëve në polici kanë qenë shkas për finalizimin e dy goditjeve të fundit në Hipotekën e Durrësit. Më shumë se një muaj më parë në Hipotekë u finalizua operacioni “Furtuna 1”, i cili solli prangosjen e një punonjëseje dhe dy sekserëve, që kundrejt pagesave u ofronin aplikantëve procedura të përshpejtuara.                    o.u

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›