E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Në Shqipëri 38 tonë vaj kancerogjen"

Pavarësisht se autoritetet shqiptare nuk duan ta pranojnë, duket se Shqipëria ka qenë një treg i hapur për vajin kancerogjen.

MARKO CAKA /ATHINE

 Dje pasdite, një raport i Ministrisë së Bujqësisë greke, konfirmoi se të paktën dy ngarkesa me vaj nga Ukraina, të përzier me vaj lubrifikant, kanë kaluar kufirin me Shqipërinë. Njoftimi grek, thekson se kanë qenë dy firma greke ato që kanë bërë eksportin nga Greqia, të sasisë së vajit kancerogjen. Sipas ministrisë Greke, vetëm pak ditë më parë, rreth 38.2 tonë vaj i ardhur nga Ukraina është importuar në Shqipëri. Sektori i kontrollit, në ministrinë greke njofton edhe për emrat e firmave, të cilat kanë bërë eksportin. "Për llogari të firmës MANOS A.E kanë kaluar për në Shqipëri 20.75 tonë vaj, ndërsa për llogari të firmës ELEMPHO rreth 17.38 tonë". Vaji i përket sasisë së bllokuar disa ditë më parë në Greqi. Dje, prokuroria greke nisi hetimin e madh për gjetjen e mënyrës së kalimit dhe shpërndarjes së kësaj sasie në tregjet e vendit. Me ndërhyrjen e prokurorit grek Panajoti Puliu është kërkuar që të hetohet në thellësi hyrja dhe destinacioni i vajit të lubrfikuar. Në raportin e ministrisë greke nuk thuhet se cila pikë doganore ka bërë eksportin dhe si rrjedhojë dhe importin në Shqipëri. Por në raport theksohet se, vaji është nisur nga qyteti i Selanikut dhe i Volosit dhe ka shumë gjasa se kjo sasi e vajit kancerogjen të ketë kaluar nga pika doganore e Kapshticës. Por, skandali i vajit të prodhuar në Ukrainë dhe të përzier të paktën në raportin 10 me 1 (në çdo 10 litra vaj vegjetal janë gjetur 1 litër vaj lubrifikant, i cili ndihmon në përhapjen e kancerit te konsumatorët), është thelluar më tej në Greqi. Mediat greke kanë shkruar dje se kanë qenë autoritetet franceze ato që kanë lajmëruar disa kohë më parë Greqinë për alarmin e qarkullimit të një sasie vaji vdekjeprurës. Më saktë francezët kishin sinjalizuar autoritetet greke që më datën 23 prill, por mbetet enigmatike, përse nuk ka pasur një reagim të menjëhershëm. Madje, sipas burimeve të sigurta francezët në raportin e tyre të 23 prillit kishin alarmuar dhe për rrezikun që mund të sjellë ky lloj vaji i lubrifikuar, duke bërë të qartë se nga Franca kishin kaluar 7 anije me ngarkesë të tillë vaji me destinacion Spanjën. Sipas francezëve një gjë e tillë kishte ndodhur dhe në vitin 1981 ku në Spanjë u shfaq vaji i dioksinuar dhe vdiqën me qindra konsumatorë.
Shqipëria
Edhe pse krejtësisht indiferente për të sqaruar publikun shqiptar, Ministria e Bujqësisë ka vendosur të nisë një grup kontrolli në Korçë për të hetuar tregjet. Shqipëria konsumon rreth 38 mijë tonë vaj të importuar nga Rusia, Ukraina dhe Hungaria. Sasia e madhe dhe mungesa e kushteve të forta të kontrollit në dogana e bëjnë të vështirë kontrollin total të vajit. Sidoqoftë, Ministria e Bujqësisë zyrtarisht konfirmoi dje, se Shqipëria nuk është e prekur. "Nuk ka hyrë në vendin tonë vaj pa certifikatën përkatëse të analizave. Çdo produkti që hyn në doganat tona i kryhen analizat, edhe vajit të ullirit", tha Ndoc Fasllia, zv.ministri i Bujqësisë. Por, nga ana tjetër, ndonëse jo hapur, pranohet njëfarë pasigurie në treg dhe nuk përjashtohen edhe abuzimet. Por, skandali merr përmasa edhe më të frikshme, pasi në total, ngarkesa e ardhur nga Ukraina mendohet të ketë qenë 3000 tonë. Ajo është importuar në Greqi prej dy shoqërive greke, me qëllim që të rafinohej dhe të shpërndahej më pas në treg. Nga kjo sasi 2.132 tonë janë shpërndarë deri tani dhe për fat të mirë 1.182 tonë vaj luledielli janë bllokuar, ndërsa ende kërkohen se ku kanë shkuar 950 tonë të tjerë. Kanë qenë zviceranët, të cilët kanë dhënë alarmin pas analizave të bëra dhe më pas janë ushtruar kontrollet përkatëse në depot e shoqërive që importuan vajin e rrezikshëm nga Zvicra në qytetin e Volos.

Letra e shoqatave të vajit: Po importohet me çmime qesharake

Konfirmimin e dyshimit e jep vetë shoqata e vajit. Pak kohë më parë përfaqësuesit e kësaj shoqate, edhe pse jo direkt, kanë njoftuar autoritetet shqiptare për sasi të mëdha vaji që kalonin traun e doganave shqiptare në mënyrë të dyshimtë. Më datë 27 nëntor të vitit të kaluar, shoqata e prodhuesve të mëdhenj të vajit në Shqipëri i ka dërguar një faks doganave, Ministrisë së Financave, Kontrollit të Shtetit, Drejtorisë së Krimit Ekonomik, dhe vetë Kryeministrisë. Në shkresë, prodhuesit kërkonin hetimin për vajin e importuar në Shqipëri. Sipas tyre, ky produkt po zhdoganohej në dogana me një çmim rreth 20-30 për qind më të lirë sesa çmimi i bursës. Dyshimet e prodhuesve ishin për evazionin fiskal që mund të shkaktohej, por edhe për cilësinë e vajit, i cili arrinte të konkurronte me këtë çmim. I pyetur nga "Top-Channel", shefi i marketingut të "Olim", theksoi se, është kriza e çmimeve ajo që ka ndryshuar sjelljen e konsumatorëve, duke i drejtuar në produkte më të lira. "Që prej një viti, tregu i vajit është pothuajse i pakontrolluar".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›