E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burg përjetë për Kozaren

Prokuroria kërkon burgim të përjetshëm për Luan Marën, autorin e masakrës së Kozarës.

BERAT/ DILAVER XHELILI

Në seancën e djeshme të zhvilluar në gjykatën e Beratit prokuroria ka dhënë pretencën për të akuzuarin e ngjarjes ku humbën jetën tre vetë, mes të cilëve edhe një grua shtatzënë. Pas disa seancash të shtyra për arsye të ndryshme, dje organi i akuzës ka dhënë vendimin e tij në lidhej me krimin e trefishtë. Vetë i pandehuri ka qenë dje i pranishëm në sallën e gjyqit kur, prokurori i çështjes, Artan Bejo, ka kërkuar dënimin maksimal për të përpara trupit gjykues të përbërë nga treshja Agron Valva, Nazmi Troka dhe Ermonela Felaj. Përfaqësuesi i organit të akuzës në bazë të provave në vendin e ngjarjes, në bazë të deklarimeve të vetë autorit, hetimet e kryera si dhe zbardhjes së përgjimeve në familjen Mara e ka cilësuar si të fajshëm të arrestuarin dhe ka kërkuar ndaj tij dënimin me burg përjetë me akuzat "vrasje në rrethana të tjera cilësuese", "vrasje të më shumë se një personi", "vrasje të shtatzënës dhe të miturit" si dhe "armëmbajtje pa leje". Përfaqësuesi i prokurorisë e cilësoi vrasjen për motive të dobëta si shkak i një lidhjeje intime mes të akuzuarit dhe kunatës së tij, lidhje e cila dyshohet se kishte shkuar në vesh të të vëllait. Për të humbur gjurmët për këtë marrëdhënie, Luan Mara dyshohet se ka kryer dhe ekzekutimin makabër. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mesnatën e 9 shkurtit të vitit 2006 në fshatin Kozare të rrethit të Kuçovës, ku Shpëtim, Florie dhe Artiol Mara, përkatësisht 30, 27 dhe 2 vjeç u gjetën të masakruar në banesën e tyre. Rreth 9 muaj më vonë vëllai i viktimës u arrestua nga policia si i akuzuar për ngjarjen. Fillimisht ai e ka pranuar akuzën, por më vonë e ka hedhur poshtë duke deklaruar se kishte pranuar nën presionin e dhunës në polici. Ndërsa zhvilloheshin seancat gjyqësore në ngarkim të Luan Marës, familjarët e tij janë shprehur se ai nuk ishte vrasësi i familjes së Shpëtimit. "Nëse djali im do të ishte vrasësi, unë do ta kisha varur në mes të fshatit Kozarë. Por Luani nuk është vrasësi i vërtetë", është shprehur Shefqet Mara, babai i Luanit, për "Panorama"-n rreth një muaj më parë. Sipas familjarëve, vrasësi ishte një tjetër njeri nga fshati Kozarë, që aktualisht qëndron në gjendje të lirë. Në seancën e ardhshme pritet që mbrojtja të thotë fjalën e fundit, ndërsa i akuzuari do të përballet me vendimin e formës së prerë të trupit gjykues.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›