Abuzuan me paratë e shtetit, pranga 3 nëpunësve të KESH
FIER – Rreth 400 mijë lekë dëm i është shkaktuar shtetit pas një vjedhjeje të bërë nga nëpunës të KESH-it. Kontrolli i ushtruar nga Ministria e Energjetikës në drejtorinë e Fierit zbuloi abuzimin e krijuar 3 vjet më parë, duke çuar në pranga 3 inxhinierë elektrikë. Burime zyrtare nga Policia e Fierit pohuan dje se nën hetim janë dhe 4 të tjerë, një prej tyre ish-drejtoresha e Divizionit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në Fier, Adelina Shati. Sipas policisë, janë dashur disa muaj hetime bazuar mbi të dhënat e kontrollit që të kërkohet arrestimi i Gertan Bileros, 33 vjeç, Roland Saliut, 35 vjeç si dhe Pajtim Halilit, 56 vjeç, me detyrë inxhinier elektrik. Arrestimi i tre personave dhe vënia nën hetim e Shatit është bërë me akuzën e “vjedhjes në bashkëpunim me shpërdorim detyre”. Gjithçka ka nisur nga një tender i zhvilluar në këtë rreth, pasi dyshohet se ka pasur abuzime e më pas ka vazhduar kontrolli në dokumentacione. Ndalimi i tyre është bërë nga sektori kundër krimit financiar në Fier pas një vendimi të gjykatës, e cila ka vendosur lënien në burg pa afat. Ndaj tyre nisi hetimin fillimisht Prokuroria e Fierit, në bazë të shkeljeve të konstatuara nga grupi i kontrollit të ministrisë përkatëse për realizimin e investimeve që ka bërë KESH-i në zonën energjetike në Fier për instalimin e aparateve të reja të matësve elektrike. Gjatë këtij kontrolli janë konstatuar shkelje të shumta, për të cilat tashmë do të përgjigjen personat e arrestuar. Pritet që pas ndalimit të tyre të mund të zbardhen rrethanat në të cilat ndodhi zhdukja e 400 mijë lekëve që duhet të përdoreshin për qëllimet e KESH-it. m.r