E Diel, 1 Nëntor 2026

Stuhia shkul reklamën nga kati i dhjetë, në kokë 20-vjeçarit

 

VLORE - Një tabelë reklame e shkulur nga era e fortë dje në Vlorë, plagosi rëndë një 20-vjeçar. Sipas policisë, si pasojë e stuhisë, tabela e lënë prej vitesh në katin e 10-të të një pallati në zonën e fabrikës së orizit, i ra në kokë një djali duke i rrezikuar jetën. Viktima u dërgua me urgjencë nga kalimtarë të rastit në spitalin e Vlorës. Sipas mjekëve, i riu ndodhet në reanimacion në gjendje të rëndë, pasi ka marrë çarje në kokë dhe është dëmtuar në shpatulla. Era e fortë dje paralizoi për rreth 30 minuta edhe ankorimin e trageteve në port. Dallgët e detit me fuqi deri në 7 ballë krijuan probleme, duke shkaktuar edhe vonesa. Megjithatë, sipas burimeve në port, pas rreth gjysmë ore situata u normalizua dhe tre tragetet e linjës Vlorë-Brindizi arritën të ankoroheshin pa krijuar ndonjë incident. Dëme të konsiderueshme era e fuqishme shkaktoi edhe në brendësi të qytetit. Disa pemë u rrëzuan, tabelat e reklamave përfunduan përtokë, ndërsa vazot e luleve në katet e larta të pallateve rrezikuan jetën e kalimtarëve që u gjendën jashtë në ato momente.                   q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›