Mjeku i arrestuar për ryshfet, llogari 150 mijë euro në bankë
Dashamir Biçaku
Zbulohen 150 mijë euro në llogaritë bankare të kirurgut Ardian Nelaj, të arrestuar me akuzën e korrupsionit tri ditë më parë. Burime nga Drejtoria e Policisë së Tiranës pohuan për gazetën “Panorama”, se gjatë verifikimeve përpara arrestimit të mjekut kirurg është zbuluar në emrin e tij në bankë një shumë e konsiderueshme parash. Të njëjtat burime pohuan se mjekut i është gjetur një shumë e konsiderueshme parash, e cila dyshohet se është përfituar në rrugë të paligjshme. Menjëherë pas zbulimit të kësaj vlere në llogaritë bankare të kirurgut 38-vjeçar, hetuesit kanë filluar verifikimet për të saktësuar burimin e tyre, nëse këto të ardhura mund të jenë përfituar nga veprimtaria e ligjshme si mjek apo janë të ardhura në rrugë të tjera. Deri më tani policia nuk ka bllokuar llogaritë që janë në emër të mjekut kirurg dhe shef i klinikës së kirurgjisë në Spitalin e Burgut. Kjo duke qenë se pritet një urdhër i posaçëm i zyrës së Task-Forcës në Prokurorinë e Tiranës, mbi bllokimin e llogarive bankare dhe pasurive që mendohet se janë vënë në rrugë të kundërligjshme. Një shumë e tillë në llogaritë bankare konsiderohet e dyshimtë nga hetuesit, të cilët kanë filluar menjëherë verifikimet e nevojshme.
Pacienti
Personi që ka denoncuar mjekun, sipas burimeve të policisë, është një banor i qytetit të Durrësit, i cili është operuar dy herë rresht tek mjeku kirurg Ardian Nelaj. Sipas burimeve të policisë, rreth dy muaj më parë, pacienti emri i të cilit nuk bëhet i ditur ka kryer një operacion për apendicit, ose siç njihet ndryshe zorra qorre. Për këtë operacion, mjeku sipas burimeve të policisë i ka kërkuar dhe i ka marrë në dorë pacientit një shumë prej 25 mijë lekë të reja. Kjo ka bërë që pacienti të denoncojë kirurgun në zyrën e Antikorrupsionit të Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Ndërkaq të premten i njëjti pacient ka kryer sërish një operacion për një patologji të quajtur rëndomë dhjamthi. Për këtë operacion, i cili ka zgjatur rreth 40 minuta, kirurgu ka marrë nga pacienti 20 mijë lekë të reja. Por sapo ka marrë paratë ai është prangosur nga efektivët e policisë, të cilët kishin vendosur kamerat dhe përgjuesit në ambientin ku është bërë pagesa. Policia kishte marrë informacione për veprimet e kirurgut, i cili mbante detyrën e shefit të pavijonit të kirurgjisë në Spitalin e Burgjeve, por kryente operacione edhe në spitalin civil në kryeqytet. Pas këtyre informacioneve të marra në rrugë operative, Njësia Task-Force në prokurori filloi menjëherë hetimet dhe të shtunën në mesditë organizoi arrestimin e 38-vjeçarit në kushtet e flagrancës.
Rebelohet mjeku
Gjatë marrjes në pyetje nga oficerët e antikorrupsionit, mjeku kirurg Ardian Nelaj ka pohuar se atij po i prishej karriera prej efektivëve të policisë. “Po më shkatërroni jetën, familjen dhe gjithçka që kam ndërtuar”, mësohet t’u ketë pohuar Ardian Nelaj oficerëve të policisë, që po e merrnin në pyetje pas arrestimit. Kirurgu mbahet i izoluar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës derisa gjykata të vlerësojë masën e sigurisë ndaj tij. Kirurgu mësohet se nuk ka pranuar të përgjigjet në lidhje me akuzat për marrje e kërkim ryshfeti ndaj pacientëve. Por vetë pacienti u ka treguar hetuesve se kishte paguar mjekun dy herë për dy operacione të ndryshme në shumat 25 mijë dhe 20 mijë lekë të reja. Dëshmia e pacientit të operuar, paratë e sekuestruara gjatë arrestimit të kirurgut 398-vjeçar si dhe provat e mbledhura nga hetuesit janë vlerësuar nga Prokuroria, e cila menjëherë urdhëroi ndalimin e mjekut me akuzën e korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike. Për këtë akuzë, Prokuroria do të kërkojë sot në gjykatë masën e sigurisë “burg pa afat” ndaj kirurgut, të cilit në momentin e arrestimit iu kapën 50 mijë lekë të reja, 750 euro dhe 100 dollarë.
Akuza: Kemi dëshmitarë për ryshfetin
Grupi hetimor i dosjes penale të hapur kundër kirurgut të arrestuar me akuzën e korrupsionit, tha dje se ka marrë deklarime nga disa persona që kanë dhënë shpjegime për komunikimin e mjekut me pacientin që ka bërë pagesën e ryshfetit pas operacionit të kryer në stomak. Sipas prokurorisë, katër dëshmitarët janë persona që kanë parë skenën dhe që japin të dhëna me efektin e provës ashtu si filmimet dhe përgjimet e bëra në ambientin e spitalit.