Atentat te “Piaca” për gjakmarrje
SHKODER/ RIDVAN DIBRA
Tenton të marrë gjakun e babait, por “hasmi” i shpëton mrekullisht plumbave. Seriali i vrasjeve dhe tentativave ndërmjet familjeve Dhampiri dhe Shpuza vijojnë, shkak i së cilës është refuzimi për fejesë të një vajze 15 vjeçe.
Ngjarja e rëndë ndodhi dje rreth orës 10:00 tek “Piaca”, afër Bashkisë, në qendër të Shkodrës. Shënjestra Bledar Dhampiri ishte ulur në një nga lokalet e kësaj rrugice, teksa atentatori Izmir Shpuza i është afruar duke qëlluar drejt tij disa herë me pistoletë. Vetëm pak minuta më pas, 24-vjeçari Shpuza u prangos. Ishin dy agjentë të Policisë Kriminale, të cilët duket se parandaluan edhe këtë krim, duke ndërhyrë menjëherë. Sipas policisë, pas ngjarjeve të njëpasnjëshme ndërmjet dy familjeve, ata mbanin në survejim të dy palët. Vëllezërit e Bledar Dhampirit, Ermal dhe Besmir Dhampiri akuzohen se në shtator të këtij viti kanë vrarë Hysni Shpuzën, nga fshati Shtoj i Shkodrës. Ermali u arrestua për këtë ngjarje, ndërsa vëllai tjetër i tij është ende në kërkim. Sipas policisë, në rrugë operative kishin siguruar të dhëna se familja e Hysni Shpuzës ishte organizuar për të marrë hak. Pas informacioneve, policia mbajti në survejim lëvizjet e dy familjeve. Ashtu ndodhi edhe dje, kur 24-vjeçari nuk arriti të qëllonte në shenjë, pasi agjentët ndërhynë në kohë, duke evituar krimin dhe njëherazi duke prangosur për pak minuta vrasësin e mundshëm. Sipas dëshmitarëve okularë të kësaj ngjarjeje, Shpuza sapo ka parë shënjestrën e tij është afruar te tavolina ku ishte ulur Bledar Dhampiri. Ai nxori pistoletën dhe qëlloi disa herë, por nuk arriti të godasë në shenjë. Klientët e lokalit të tmerruar nxituan të largohen, situatë e cila bëri akoma më shumë konfuz 24-vjeçarin, që nuk arriti dot të finalizonte objektivin që ishte nisur. Agjentët e policisë arrestuan autorin e kësaj ngjarjeje, i cili më pas u akuzua për veprat penale të “vrasjes me motiv hakmarrje e mbetur në tentativë” dhe “armëmbajtje pa leje”. Blutë sekuestruan edhe armën e zjarrit, një pistoletë TT. Mësohet se familja Dhampiri kërkon lirimin e djalit të tyre, Ermalit, duke mohuar implikimin e tij në vrasjen e Hysni Shpuzës. Një nga vëllezërit Dhampiri kishte kërkuar në vitin 2006 për fejesë vajzën e viktimës Shpuza. Por refuzimi i tyre precipitoi më pas në ngjarje të njëpasnjëshme, me tentativa për vrasje, por edhe ekzekutimin e babait të vajzës që refuzoi fejesën.
Si nisi konflikti mes familjeve
Konflikti mes familjeve Shpuza e Dhampiri nisi në vitin 2006. Njëri nga djemtë e familjes Dhampiri i kërkoi Hysni Shpuzës dorën e vajzës 15-vjeçare. Duke qenë se ata jetonin vetëm pak metra larg njëri-tjetrit në fshatin Shtoj dhe vajza ishte e mitur, Shpuza e refuzoi këtë kërkesë. Në mars të të njëjtit vit, vëllezërit Dhampiri shkuan në shtëpinë e vajzës dhe tentuan ta marrin forcërisht. Gjatë kësaj kohe, Hysni Shpuza kishte denoncuar vëllezërit për tentativën e rrëmbimit të vajzës. Më 10 korrik 2006 plagoset vëllai i Hysni Shpuzës, Hamza Shpuza. Nëntë ditë më pas, situata acarohet më shumë. Albert dhe Ermal Dhampiri arrijnë të largohen bashkë me vajzën në Shakotë, një fshat disi i izoluar në komunën e Postrribës. Policia pas denoncimit të babait të vajzës bën rrethim të zonës. Arrin të marrë vajzën, por has në rezistencën e vëllezërve, të cilët qëllojnë drejt bluve. Policia arrestoi të tre vëllezërit, mes tyre edhe viktimën e mundshme të djeshme, Bledar Dhampirin. Por gjykata më vonë e la të lirë këtë të fundit. Pasi plotësoi dënimin, edhe Ermali lirohet, ndërsa në burg është ende Alberti. Më 6 shtator 2008 vritet Hysni Shpuza, pak minuta larg qytetit të Shkodrës. Ai ishte në treg, kur një person iu afrua dhe e ekzekutoi e më pas u largua në drejtim të paditur. Për ngjarjen u akuzuan Ermal dhe Besmir Dhampiri. r.d