E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapet vajza që "trafikoi të fejuarin"

 

TIRANE - Një person i arrestuar dhe një i proceduar penalisht për kalim të paligjshëm të kufirit, është bilanci i ditës së djeshme në policinë e Rinasit gjatë kontrolleve të hyrje-daljeve në kufi. Gentiana.P., 24 vjeçe, banuese në Burrel, është ndaluar nga policia e Rinasit gjatë ditës së djeshme, ndërsa tentonte të udhëtonte me një dokument të falsifikuar nga Shqipëria në drejtim të Anglisë, me linjën ajrore italiane "Alitalia". Ajo ka qenë duke udhëtuar me një dokument anglez me emrin e motrës së saj, Gladiola.B., 26 vjeçe, ndërsa sipas burimeve të policisë ajo do të udhëtonte e shoqëruar nga një person tjetër, që do të hiqej si i fejuari i saj. Ky person sipas deklarimeve të së arrestuarës, kishte sjellë dokumentin, që ia kishte nisur i fejuari i motrës së saj nga Anglia. Gjatë intervistimit vajza ka ngecur në njohuritë e gjuhës angleze dhe për këtë shkak është shoqëruar në drejtim të komisariatit të Rinasit. Gjatë marrjes së saj në pyete, vajza ka pranuar se do të udhëtonte në drejtim të Londrës me dokumentin e së motrës, duke përdorur ngjashmëritë e tyre. Ajo ka pohuar gjithashtu se shoqëruesi i saj ka ndërruar kabinë duke mundur të largohet, kur kishte vënë re se vajza nuk po arrinte të kalonte intervistën. Ndaj Gentiana. P., policia ka marrë masën e arrestit në flagrancë, ndërsa shoqëruesi i saj hetohet në gjendje të lirë për dhënie të ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›