Akuza për vrasjet, Strasburgu pranon dosjen "Berhani"
TIRANE - Gjykata e Strasburgut ka pranuar për gjykim një çështje penale nga Shqipëria. Bëhet fjalë për çështjen në ngarkim të 36-vjeçarit nga Kuçova Gentian Berhani, i akuzuar për një vrasje të 12 viteve më parë në qytetin e tij. Lajmin për futjen e çështjes në listën e gjykimeve të këtij institucioni, e bën të ditur avokati i të gjykuarit, Përparim Rama, i cili konfirmon se në letërkëmbimin që ka pasur me gjykatën ka marrë njoftimin, se në dosjen që mbron janë vërejtur shkelje të shumta procedurale në bazë të së cilave gjykatat shqiptare kanë dënuar pa prova klientin e tij. Berhani, i cili ndodhet në burgun e Peqinit është arrestuar në vitin 2001 në Itali prej nga është ekstraduar më pas në Tiranë. Ngjarja për të cilën është dënuar me 18 vjet burg i riu Berhani ka ndodhur më 5 korrik 1996, kur dy persona me skafandra në kokë qëllojnë në lokalin e tij në Kuçovë Petrit Mëhillin, i cili ishte autori i vrasjes së vëllait të Berhanit. Pas kësaj arrestohet Gentian Berhani dhe qëndron pak javë në qeli, pasi Apeli i Vlorës që shqyrton masën e tij të sigurisë e liron për mungesë faktesh. Pas kësaj ai largohet për në Itali, por në vitin 2000, Prokuroria e Beratit nis hetimin në mungesë dhe më pas gjykata e dënon me 18 vjet burg, vendim i cili mbetet në fuqi në të gjitha shkallët e gjykimit në Shqipëri. Tashmë Strasburgu pritet të përcaktojë ditën se kur do zhvillohet gjykimi, ndërsa dje ka qenë dita e fundit kur shteti shqiptar duhet të dorëzonte observacionet për këtë çështje. fa.ma.