E Diel, 1 Nëntor 2026

Dhunoi shefin e Kardiologjisë, në gjyq për vrasje Arben Strazimiri

 

TIRANE - Prokuroria dërgon në gjyq me akuzën e "vrasjes me paramendim të mbetur në tentativë", agresorin e shefit të Kardiologjisë në Qendrën Spitalore Universitar në Tiranë. Arben Strazimiri, 35 vjeç, banues në Tiranë i arrestuar më 10 prill 2008 do të ulet në bankën e akuzës në Gjykatën e kryeqytetit, pasi Prokuroria përfundoi hetimet ndaj tij. Dosja penale me nr.1981, për tentativën e vrasjes ndaj mjekut Ali Refatllari është plotësuar me hetimet e nevojshme dhe është dorëzuar për gjykim. Fashikulli përmban deklarime të personave, që tregojnë se si i pandehuri mesditën e 10 prillit 2008, brenda ambienteve të spitalit, tentoi të vrasë shefin e Kardiologjisë Ali Refatllari. Në fashikullin penal është administruar edhe dëshmia e një agjenti të policisë, i cili rastësisht është ndodhur në vendin e ngjarjes kur ka parë Arben Strazimirin të qëllonte me thikë ndaj mjekut. Agjenti i policisë i cili në atë moment ka qenë i veshur civil ka ndërhyrë për të ndaluar veprimet e 35-vjeçarit, që rrezikoi seriozisht jetën e mjekut Ali Refatllari. "Nga deklarimet e marra prej personave të pranishëm në ngjarje, si dhe nga hetimet e mëtejshme të zhvilluara është arritur në përfundimin se veprimet e të pandehurit Strazimiri kanë qenë të paramenduara prej tij", thanë burimet nga organi i akuzës. Sipas tyre, për këtë shkak edhe vepra penale për të cilën akuzohet 35-vjeçari Strazimiri është klasifikuar si vrasje me dashje e mbetur në tentativë, pasi i arrestuari kishte planifikuar të dëmtonte rëndë shefin e kirurgjisë, por vetëm ndërhyrja e personave të pranishëm ndryshoi rrjedhën e ngjarjes. Megjithatë, në dosje janë administruar dëshmi, që tregojnë se mjeku i sulmuar me thikë është rrëzuar menjëherë për tokë, ndërsa raporti mjekoligjor i ka konsideruar dëmtimet serioze për shëndetin e 47-vjeçarit Refatllari. Nga hetimet e Prokurorisë, ku përfshihet edhe marrja në pyetje e të pandehurit, është mësuar se dy javë para sulmit ndaj mjekut, shefi i Kardiologjisë kishte operuar një të afërm të Arben Strazimirit. "Ky pacient kishte humbur jetën dy javë pas ndërhyrjes së kryer nga mjeku Ali Refatllari, të cilin i pandehuri Strazimiri e ka fajësuar për humbjen e të afërmit të tij, i cili në fakt ka qenë në gjendje të rëndë", thanë burimet e Prokurorisë.             tr.so

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›