E Diel, 1 Nëntor 2026

Abuzuesit me fondet, Manjani: Krahas ndëshkimit ligjor, të paguajnë edhe dëmet

Tiranë- Kryetari i Komisionit të Ligjeve pranë Asamblesë Kombëtare të PS-së, Ylli Manjani ka kërkuar sot nga Prokurorisë dhe gjykatat të mbrojnë paratë e shqiptarëve nga abuzimi galopant i qeverisë.

“Në mënyrë të veçantë, i kërkojmë këtyre organeve që përveç ndëshkimit penal, abuzuesit duhen detyruar të paguajnë faturën e dëmit ekonomik, sepse Shqiptarët nuk i kanë asnjë borxh abuzuesve të Sali Berishës”- ka thënë Manjani gjatë një konference për shtyp, përqëndruar në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe abuzimin në rrugën Durrës-Kukës.

Ai deklaroi sot se shqiptarët qeverisen nga korrupsioni. Sipas KLSH-së, që nga viti 2005 e deri në korrik 2008, KLSH ka konstatuar mbi 2.7 miliard lekë (2 716 631 000 leke).

“Nga ana tjetër siç është raportuar edhe në shtyp kemi një super dëm ekonomik të shkaktuar nga korrupsioni dhe abuzimet në rrugën Durrës-Kukës, ku paraprakisht është llogaritur një dëm prej mbi 200 milionë euro”- tha ai, duke shtuar se shumat marramendëse janë dëm i pastër ekonomik i shkaktuar nga qeveria e duarve të pastra e Sali Berishës.

Korrupsioni, sipas tij është sot fenomeni më i përhapur në shtetin tonë. Ky është një fakt që dëshmohet përditë nga shqiptarët sa herë u jepet rasti në media apo sondazhe publike. “Institucionet e auditit dhe të hetimit, megjithë presionin e jashtëzakonshëm të Sali Berishës konfirmojnë pikërisht faktin se qeveria vjedh dhe abuzon dukshëm me fondet publike - pra paratë e shqiptarëve”- tha Manjani.

Ai numëroi konstatimet e KLSH-së, duke nënvizuar se: vidhet dhe abuzohet në krenarinë e propagandës së Sali Berishës, pra në Dogana e Tatime.

Vidhet dhe abuzohet në Ministrinë e Transportit që është sot super ministria e vjedhjes masive të parave publike. Sipas Manjanit ato mijëra km rrugë që thotë Kryeministri që i ka shtruar, nuk gjenden gjëkundi, përveç se në xhepat e qeveritarëve më të korruptuar të të gjithë kohërave.

“Vidhet dhe abuzohet me dietat, udhëtimet, telefonat e makinat në të gjithë sektorët e administratës, që Sali Berisha i deklaron si në dietë, por që në fakt janë të dhjamosur nga korrupsioni”- tha më tej ai.  

Asnjë derë e qeverisë, sipas tij, nuk hapet për askënd që me të drejtë të ligjit e të zotit kërkon të kryejë një sipërmarrje të ndershme, nëse nuk paguan përqindjen e preferuar të qeveritarëve të korruptuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›