E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjukanoviç: Ndarja e Kosovës, plan i varrosur

Kryeministri Sali Berisha dhe ai i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, flasin për planin 6 pikësh për Kosovën

TIRANË- Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, dhe ai i Malit të Zi, Milo Gjukanovic, janë në një zë kur bëhet fjalë për ndarjen e Kosovës. Në konferencën për shtyp të zhvilluar dje në kryeministri, kryeministri i Malit të Zi, Milo Gjukanovic, ka deklaruar se planet për ndarje territoresh sipas etnive e kthejnë Ballkanin në vitet ’90, ndërsa shefi i qeverisë shqiptare, tha se Këshilli i Sigurimit duhet të gjejë një të mesme mes planit 6 pikësh të Ban Ki Munit dhe planit 4 pikësh të qeverisë së Kosovës. “Planet për ndarjen territoriale të Kosovës, në bazë etnike, janë plane të varrosura që në vitet ‘90. Kush beson që ky plan duhet të përsëritet në Kosovë, duhet të ketë edhe parasysh faktin se kjo ndarje do të shkaktojë një reaksion zinxhir që mund të na riktheje sërish në vitet ‘90. Ne jemi për shtrirjen e EULEX-it në Kosovë dhe për zhvillimin demokratik të saj. Qeveria e Malit te Zi e njohu Kosovën pak kohë më parë, edhe duke besuar se ky hap i shërben stabilitetit në rajon”, - tha kryeministri malazez, Gjukanovic, gjatë konferencës për shtyp. Ai shtoi se, njohja e Kosovës do të jetë në funksion të stabilizimit të Ballkanit. Gjukanovic theksoi, gjithashtu, se është e nevojshme që të vazhdojnë përpjekjet për ndërtimin institucional të Kosovës dhe forcimit të proceseve demokratike në një zhvillim europian të Kosovës. Nga ana tjetër, kryeministri Berisha, ka shfaqur shqetësimin e tij lidhur me planin 6 pikësh që, sipas tij, paraqet edhe probleme serioze. “Dua të shtoj se, plani me 6 pika, paraqet disa probleme shumë serioze. Në disa aspekte, ky plan të krijon përshtypjen dhe perceptimin se favorizon një ndarje të butë të Kosovës, çka unë nuk mund të besoj dhe imagjinoj se ky do të jetë qëllimi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe as i Bashkimit Europian. Por, edhe përshtypja si e tillë është problematike dhe e rrezikshme. Së dyti, ideja e një super pakice në Ballkan dhe kjo super pakicë qenka vetëm serbe, është absolutisht e dëmshme, së pari për vet pakicën, por edhe për Ballkanin në tërësi, i cili është një rajon i pasur në pakica”, - tha dje Berisha në konferencën për shtyp. Kryeministri gjykoi se nacionalizmi serb në Beograd vazhdon të mbetet problem i Ballkanit. “Gjykoj se është e domosdoshme që projektet duhet të konsultohen pak më gjerë edhe me faktorët lokalë, sepse aktet e destabilizimit kanë kosto lokale më të lartë. Ne po e ndjekim këtë zhvillim, jo pa shqetësim”, - u shpreh Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›