Acid mbi turmën, plagosen 30 persona
Hong-Kong
Një burrë u arrestua në Hong-Kong me akuzën se kishte hedhur mbi kalimtarët dy shishe me acid, veprim që çoi në plagosjen e 30 personave, mes të cilëve 9 turistë dhe një fëmijë shtatëvjeçar. I dyshuari ishte kapur të shtunën në mbrëmje në çatinë e një ndërtese, menjëherë pas sulmit në dyqanet e “Temple Street”, një zonë këmbësorësh shumë e frekuentuar nga turistët, në lagjen Kowloon. Policia gjeti edhe shishet që përmbanin acidin që ishte hedhur mbi turmën. Nga dhjetori i vitit 2008, ish-kolonia britanike jeton nën ankthin e sulmeve me acid, që në 14 muaj kanë shkaktuar më shumë se 100 të plagosur në zonat pedonale të qytetit. Policia nuk përjashton faktin se të gjitha veprimet e mëparshme mund të jenë vepër e personit të arrestuar. Mes sulmeve të mëparshme, tre kishin ndodhur në zonën tregtare Mong Kok, shumë pak metra larg Temple Street. Muajin e kaluar, gjashtë njerëz mbetën të plagosur nga hedhja e acidit mbi turmën që festonte fitoren e Kombëtares së futbollit ndaj Japonisë, në finalen e Lojërave të Azisë Lindore.
#