E Diel, 1 Nëntor 2026

Balla: Përmbytjet vepër penale, autorët janë Berisha dhe Prifti

Socialistët vijojnë akuzat në adresë të qeverisë: Shkarkimi i ujit filloi më 2 janar

Kryeministri Sali Berisha dhe ministri i Energjetikës, Dritan Prifti, kanë konsumuar veprën penale, duke shkaktuar përmbytje në zonën e Shkodrës, ndaj prokuroria duhet të veprojë. Me këtë kërkesë ka dalë Partia Socialiste disa ditë pasi shumë fshatra dhe lagjet periferike të Shkodrës ndodhen nën ujë për shkak të hapjes së portave të liqenit të Fierzës. Deputeti socialist, Taulant Balla, në një komunikim me mediat, ripërsëriti kërkesën drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme për fillimin e hetimeve për shkaqet që çuan në këtë katastrofë me autorësi shtetërore.
“Deklarojmë me përgjegjësi të plotë, se nga të gjitha informacionet që ne kemi mbledhur dhe po administrojmë nga verifikimet në terren, si dhe konsultimet me ekspertët hidroteknikë, na rezulton se kjo përmbytje është një vepër penale e pastër abuzimi me detyrën, si pasojë e së cilës janë rrezikuar jetët e disa mijëra banorëve të zonës së Shkodrës dhe janë dëmtuar me paramendim pronat e disa mijëra familjeve në këtë zonë”, theksoi Balla.
Ai konstatoi se të dy këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me persona të tretë kanë vënë në rrezik, me dashje dhe paramendim, sigurinë e kaskadës hidroenergjetike mbi lumin Drin, duke urdhëruar shkeljen në disa nene të Rregullores së Shkarkimit të Plotave në Hidrocentralet e Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës. Më tej, deputeti i PS-së vuri në dukje se liqenet e tre hidrocentraleve mbi lumin Drin u frynë në mënyrë të qëllimshme, për të mos prodhuar energji, por për t’i zbrazur mbi Shkodër, ndërkohë që energjinë në muajt e shkuar dhe në vijim Shqipëria duhet të vazhdojë ta importojë nga Serbia.
“Ne importuam dhe vazhdojmë të importojmë energji nga Serbia, megjithëse në Shqipëri mund të prodhonim mjaftueshëm. U kujtoj sot qytetarëve shqiptarë se një pjesë e energjisë super të shtrenjtë që ne kemi paguar deri pak muaj më parë, e sillte në Shqipëri miku i vjetër serb i Sali Berishës, Fazlliç. Korporata Energjetike e Saliut (KESH) vazhdon të gënjejë publikun duke thënë se shkarkimet në Fierzë filluan më datë 30 dhjetor në kuotën 285.9 metra, ndërkohë që disponohen dokumente zyrtare për fillimin e shkarkimeve në datën 2 janar, kur niveli kishte arritur 293.2 metra”, nënvizoi Balla. Sipas socialistëve, është e turpshme që kur gjërat janë kaq evidente, Sali Berisha vazhdon të fshihet nga përgjegjësitë.
“Sali Berisha nuk mund të mohojë kryeautorësinë e tij në këtë krim, sikurse mohoi të ndjerin kunatin e tij në fabrikën e vdekjes në Gërdec. Sali Berisha duhet të ikë një orë e më parë, bashkë me priftërinjtë e tij të korrupsionit”, deklaroi Balla. Ai bëri me dije se Partia Socialiste, në vijim të ndjekjes me vëmendje dhe kujdes të veçantë të situatës në zonat e përmbytura, të solidaritetit dhe të angazhimit për t’ju gjendur pranë banorëve me ndihma dhe asistencë të nevojshme, rishpreh qëndrimin se kjo përmbytje e jashtëzakonshme nuk do të teret dot pa marrë përgjegjësitë e plota kryeautori dhe autorët e saj.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›