E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ditari i një gazetareje televizive

Frikë, panik, përmbytje, evakuim, trishtim mbi një sipërfaqe uji pa fund… Ka nisur disi i mbrapshtë ky viti 2010. Digat u hapën dhe uji vërshoi me tërbim në Veri të vendit. Mijëra shtëpi u përmbytën, qindra krerë bagëti u mbytën, mijëra banorë u larguan me kokën pas shtëpive që zhdukeshin një nga një nën ujë. është tamam koha për të qenë në krah të njëri-tjetrit. Për të ndihmuar mijëra fëmijë, gra e burra që të mund të rindërtojnë të njëjtën jetë “normale” nga e cila i shkëputën befas në këtë fillimviti.
7 janarRaportim nga uji
është e enjte, ndodhemi në Shkodër. Uji ka vërshuar me furi dhe Buna ka përmbytur jo vetëm tokat dhe shtëpitë përreth saj, por ka marrë peng edhe rrugën nacionale të Shkodrës. Aty mund të kalojnë qetësisht, me atë krenarinë e tyre hijerëndë, vetëm makinat e ushtrisë. Kalojmë rrugën dhe ndalemi në lagjet periferike, në Ajasëm dhe Bahçallëk. Jemi pak më me fat se kolegët tanë, pasi kemi me vete veshje peshkatari. I mbathim me shpejtësi dhe nisemi drejt banesave të përmbytura nga uji për të biseduar me banorët, ata më kokëfortët që nuk pranojnë të largohen nga shtëpitë. Gjatë rrugicës se ngushtë të lagjes shohim se niveli i ujit rritet me shpejtësi. Uji vende-vende na arrin deri në mes. Në mes të rrugës së përmbytur takojmë një burrë të vjetër, i cili na tregon vendet nga ku duhet të kalojmë dhe na drejton drejt shtëpive dykatëshe, aty ku qëndronin banorët e “pabindur”. Rryma e ujit është e fortë dhe e kemi të vështirë të ecim me shpejtësi. I druhemi një rrëzimi në ujë, i cili mund të jetë fatal edhe për ne. Por se mendojmë gjatë dhe ndalemi në një nga shtëpitë e lagjes. Në ballkon ka fëmijë, gra, burra dhe të moshuar. Takojmë Franin. Ai na thotë: Ne do të qëndrojmë këtu derisa niveli i ujit të jetë kërcënues. Me të jemi mësuar. Fëmijët dhe gratë i kemi vendosur në katet e dyta të shtëpive. Kemi numrin e telefonit të policisë, në rast se do të na duhet. Prej një jave në këto lagje të përmbytura s’ka më ujë të pijshëm. Ujësjellësi nuk i ka shpëtuar dot vërshimit të ujit.
Kthimi është edhe më i vështirë. Rryma është forcuar goxha. I ndiejmë muskujt të tendosen njësoj sikur të duan të vetëmbrohen, dhe pastaj lodhje, shumë lodhje, një si lloj kapitjeje. Më në fund arrijmë të gjejmë xhadenë e Shkodrës. Këtu do të takojmë disa nga të evakuuarit. Në ish-turizmin në qendër janë vendosur pak banorë nga Dajçi e Obot. Janë ata të cilët kanë luftuar deri në fund për të shpëtuar bagëtitë, por kur uji ka mbuluar shtëpitë dhe kafshët kanë ngordhur, ata kanë shpejtuar të largohen për të shpëtuar kokën.
Një prej tyre, Prenga, më thotë: “I kërkova të më ndihmonin të shpëtoja bagëtinë, por shteti nuk mundet, as unë nuk munda. Jeta e njerëzve është më e shtrenjtë, por edhe pa bagëtinë nuk di si do të jetoj”. Teksa sheh punonjësit e hotelit shpejton të më thotë pa e pyetur kush se fajin e ka natyra, jo shteti. Ky e paska pasur kollaj, e paska gjetur fajtorin që me kohë. Në një nga dhomat e hotelit takojmë një grua të re me dy fëmijë. Në fillim bezdiset nga ne të mediave, por pastaj nis të flasë. “Jam me dy fëmijë – na thotë - shtëpia më është përmbytur. Nuk kam ç’të them tjetër”.
Dera e dhomës së hotelit përplaset me forcë. Ajo është e zemëruar, por jo vetëm me ne… Ora shënon 19.00. Marrim rrugën për në Tiranë. Niveli i ujit është rritur edhe më. Një autobus ka mbetur peng në rrugën nacionale. Makina jonë kalon me vështirësi. Në rrugë duket një djalë i vogël që përpiqet të kalojë matanë duke u mbajtur te parmakët e rrugës. Buna është egërsuar dhe nxjerr ujë me furi. E ndiejmë se e nesërmja do të jetë një ditë edhe më e vështirë. Uji mbase do të largohet ca, por pas tij vjen frika nga sëmundjet që ka nxjerrë mbi tokë kjo përmbytje e frikshme që s’ka përfunduar ende…
Frikë nga e panjohuraDiku në janar
Frikë jo vetëm nga përmbytjet, por edhe nga virusi dhe kundërvirusi më i famshëm i këtyre kohërave ai “i derrit”. Mbi 90 për qind e bluzave të bardha, por edhe të sëmurëve kronikë kanë refuzuar marrjen e kësaj vaksine. Ky refuzim total i shkon për shtat Ministrisë së Shëndetësisë, e cila e ka arkën të zbrazur e nuk ka para për të blerë një sasi tjetër vaksinash. Pasi mbarojmë intervistën dhe kemi fikur kamerën, një specialist i shëndetit publik më sqaron se edhe këto 10 mijë doza të para janë blerë me paratë që Banka Botërore i ka akorduar Ministrisë së Shëndetësisë për gripin e shpendëve. Ministria nuk ka para për blerjen e një tjetër stoku, ndaj është mirë që të ketë në gjendje vaksina nëse pacientët do të kërkojnë, apo do të përballemi me një situatë emergjente. Mjekët dhe specialistët mjaftohen duke thënë: “është me dëshirë”. Duket sikur nuk e dinë që ky grip ka shkaktuar mbi dhjetë viktima e ka prekur mijëra të tjerë. Mjekët na thonë të sigurt se ky virus do të vazhdojë edhe gjatë 6 javëve të para të këtij viti, por nuk dihet nëse do të jetë më aq agresiv sa në fillim.
Në këtë klimë mosbesimi, unë nuk do të pranoja të më injektonin një tjetër virus në trup, pasi nuk do të kisha besim. Por mesa duket kjo situatë u vjen për shtat pushtetarëve që raportojnë se në mars do të kemi një sasi të madhe vaksinash. Për kë dhe pse? Mesa duket askush nuk do t’i marrë dhe atëherë nuk do ta kemi nëpër këmbë këtë grip, por do të na duhet të përballemi me një tjetër problem….
*Autorja është gazetare në departamentin e informacionit në “Top Channel”

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›