E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha nuk tërhiqet nga drafti për SHISH-in: “Zhduk korrupsionin e personave publikë”

Pavarësisht qëndrimit kundër të opozitës, Berisha kërkon miratimin e ligjit
Eljona Ballhysa
Demokratët nuk tërhiqen nga projektligji i ri për funksionimin e Shërbimit Informativ Shtetëror. Pavarësisht se ky draft është kundërshtuar hapur nga përfaqësues dhe drejtues të lartë të Partisë Socialiste, kryeministri Berisha duket i vendosur për ta kaluar sa më parë në Parlament. Gjatë fjalës së mbajtur dje në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Berisha u kërkoi deputetëve ta shqyrtojnë me vëmendje këtë projektligj. Sipas tij, ky projekt i jep fund korrupsionit që bëhet nga personat publikë. Berisha e cilësoi të rëndësishëm miratimin e këtij drafti, ndërsa theksoi se këto ndryshime nuk janë një shpikje e tij, por bazohen në shembujt më të mirë të vendeve europiane.
Qëndrimi
“Me këto ndryshime synohet së pari përcaktim më i qartë i detyrave të Shërbimit Informativ Shtetëror në kushtet aktuale. Cilësore do të thosha unë është vendosja e veprës së korrupsionit për personin publik. Nuk është ky një inventim i imi apo i qeverisë; kjo është një praktikë, të cilën e kanë vendosur në ligj vende të tilla si Polonia dhe vende të tjera. Kështu që mendoj se kjo është e domosdoshme. Së dyti, dua të theksoj se midis Shërbimit Informativ dhe Policisë ekziston një bashkëpunim i frytshëm dhe unë dua t’ju garantoj ju se kontributi i Shërbimit në luftën kundër trafiqeve është shumë i rëndësishëm. Unë ju ftoj që ato t’i shqyrtoni, sepse shërbimi ka bërë propozime, gjykoj, të dobishme. Një risi tjetër e këtij ligji është risia e angazhimit të Parlamentit në procesin e emërimit të drejtuesve kryesorë. Është një standard normal që Parlamenti duhet të ketë një fjalë, që Komisioni për Sigurinë duhet të ketë një fjalë për kandidaturat që propozohen për drejtimin e Shërbimit Informativ Shtetëror”, - është shprehur Berisha. Sipas tij, projekti parashikon të njëjtën mënyrë emërimi për zëvendësdrejtorin, ashtu sikurse zgjidhet drejtori i SHISH-it. “U ruajt sërish, ndonëse Kushtetua parashikon vetëm për drejtorin, e njëjta procedurë edhe për zv.drejtorin. Ligji përcakton që në rrethana të caktuara, zv.drejtori kryen detyrat e drejtorit kur ky mungon për arsye shëndetësore, ose për arsye tjetër, dhe këtu bëhet një qartësim: ligji përcakton mandatin. Nuk mund të ketë vend të lirë në të cilin Shërbimi Informativ Shtetëror nuk ka një mandat të përcaktuar. Pa mandat janë vetëm në regjimet totalitare shërbimet. Në këtë kontekst është zgjedhur një mesatare; ka vende që e kanë 3 vjet, 4 vjet. Ka vende që e kanë 7 vjet. Ne preferuam që të caktojmë mandatin 5-vjeçar si një mandat me të drejtë përsëritjeje për herë të dytë”, - është shprehur Berisha. Ai tha se së shpejti do të vijë në Parlament ligji “Për Policinë Gjyqësore”. Sipas Berishës, edhe ky ligj synon një reformim të mëtejshëm të veprimtarisë të Policisë Gjyqësore, vendosjes në baza ligjore të reja të disa aspekteve të kësaj veprimtarie. “Natyrisht, Kushtetuta e vendit, drejtimin e hetimit ia ka dhënë prokurorit. Ky është varianti që ekziston në Shqipëri. Besoj se duhet të ekzistojë edhe në vende të tjera; disa vende të tjera e kanë vetëm policia. Ne do t’u përmbahemi plotësisht prerogative kushtetuese, një memorandum është firmosur më përpara midis prokurores së Përgjithshme dhe Ministrisë së Brendshme. Memorandumi gjykoj se përbën një bazë solide për t’u amenduar ligji mbi frymën dhe parimet e vendosur në këtë memorandum, duke pasur parasysh se Kushtetuta e vendit hetimin ia njeh si detyrë të prokurorit dhe Prokurorisë së Përgjithshme, si udhëheqje”, - është shprehur kreu i qeverisë.
Diskriminimi
Përsa i përket projektit për antidiskriminimin që po diskutohet në disa komisione parlamentare prej disa ditësh, Berisha u shpreh kundër propozimit të Grupit Parlamentar që kjo kompetencë t’i kalojë Avokatit të Popullit. Sipas Berishës, duhet të bëhet një ndryshim në ligjin për Avokatin e Popullit, që kërkon shumicë të cilësuar votash, gjë që është e pamundur në kushtet e mungesës së opozitës në Kuvend. Për këtë qëllim, Berisha mbështeti ngritjen e autoritetit të Komisionerit që do të mbikëqyrë zbatimin e këtij drafti. “Ka qenë mendim i Grupit Parlamentar që mbikëqyrja, monitorimi i procesit të antidiskriminimit t’i besohej Avokatit të Popullit, si institucioni më i konsoliduar në vend në mbikëqyrjen e lirive dhe të drejtave njerëzore. Po këtu duket se ka një kufizim ligjor. Kufizimi ligjor qëndron në objektin e veprimtarisë së Avokatit të Popullit dhe meqenëse ndryshimi i këtij ligji do të kërkonte 3/5, mendoj të procedojmë me variantin që adaptojnë një seri vendesh duke ngritur një trupë të veçantë, të varur nga Parlamenti, që të mbikëqyrë zbatimin e këtij ligji. Edhe kjo praktikë është përdorur, madje mund të jetë edhe më e këshillueshme në aspektin që të mos konceptohet si një lloj mbingarkese për institucionin e Avokatit të Popullit”, - është shprehur Berisha.

Ekspertë të BE-së do të inspektojnë Shqipërinë për liberalizimin e vizave

Një grup ekspertësh të Bashkimit Europian pritet të vizitojnë së shpejti Shqipërinë. Ata do të inspektojnë ecurinë e progresit të bërë në kuadër të vendimmarrjes për liberalizimin e vizave. Këtë e bëri të ditur dje kryeministri Berisha, gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen e Komitetit Ndërministror për Liberalizimin e Vizave. Në fjalën e tij, kryeministri Berisha u shpreh se është bërë një punë e përditshme, e cila ka bërë të mundur të plotësohen në tërësi kërkesat e Udhërrëfyesit të Komisionit Europian për liberalizimin e vizave. Berisha u shpreh se ka progres shumë të madh dhe është zgjidhur problemi i kontrollit të bazës së të dhënave kriminale për aplikuesit për pasaportat biometrike, ndërsa viti 2011 është përcaktuar si viti i fundit për përdorimin e pasaportave të vjetra ekzistuese. Lidhur me vizitën që pritet të zhvillojnë një Shqipëri një grup ekspertësh i Komisionit Europian, kryeministri Berisha kërkoi nga agjencitë që të jenë përgatitura për përgjigje sa më të sakta dhe për demonstrim sa më të qartë të të gjitha atyre kërkesave që janë zbatuar dhe që janë në zbatim e sipër, në përputhje me Udhërrëfyesin e Komisionit Europian për liberalizimin e vizave. “Ne presim një grup të ri ekspertësh, të cilët vijnë për të inspektuar, për t’u njohur me progresin e bërë dhe për ta prekur në vend progresin e bërë. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që agjencitë që do të vizitohen - pasi ekspertët i zgjedhin vetë edhe kohë, edhe vendin dhe agjencinë - të jenë të përgatitura për përgjigjet më të sakta dhe për demonstrimin më të qartë të atyre që janë zbatuar dhe që janë në zbatim e sipër, në përputhje me Udhërrëfyesin e Komisionit Europian për liberalizimin e vizave. Është shumë e rëndësishme që rezultati i veprimtarisë së koordinuar të luftës kundër krimit të organizuar të paraqitet mbi bazën e të dhënave të sakta”, - është shprehur kryeministri. Berisha u shpreh se secila agjenci duhet të japë informacion të vërtetë për çdo fushë. “Kontributi i secilës agjenci duhet të pasqyrohet me vërtetësi në luftën kundër trafikut të drogës. Shërbimi Informativ Shtetëror ka dhënë një kontribut thelbësor në këtë rast, por edhe në raste të tjera. Ka një bashkëpunim shumë të mirë midis Policisë dhe Shërbimit Informativ Shtetëror në luftën kundër kriminalitetit. Ka shumë rëndësi edhe ekspozimi i punës së Gjykatës së Krimeve të Rënda. Mendoj se kjo Gjykatë, jo tani, por që në themelimin e saj, ka shënuar një kthesë rrënjësore në qëndrimin e sistemit të drejtësisë ndaj krimit të organizuar”, - është shprehur kreu i Ekzekutivit.

Takimi
Drejtori i ri i USAID-it vlerëson vendosjen e sistemeve elektronike në Shqipëri

Kryeministri Berisha priti dje në një takim drejtorin e ri të USAID-it në Tiranë, Joseph C. Williams, me rastin e emërimit të tij në këtë detyrë, i shoqëruar nga znj. Deborah Jones, zëvendësambasadore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë. Kryeministri theksoi se USAID-i ka mbështetur fuqimisht reformat tona në ngritjen e një sistemi të qeverisjes elektronike si taksave elektronike, prokurimeve, regjistrimit të bizneseve, një reformë kjo shumë efikase në rritjen e transparencës dhe luftën ndaj korrupsionit. Gjithashtu ai përmendi edhe mbështetjen që USAID-i ka dhënë për forcimin e kapaciteteve në qeverisjen lokale. Williams, nga ana e tij, theksoi se Shqipëria ka arritur rekorde në vendosjen e sistemeve elektronike, si dhe në shkallën me të cilën ka penetruar sistemi i teknologjisë së informacionit në administratën publike, por edhe në arsim. Lidhur me bashkëpunimin e ardhshëm, kryeministri theksoi se në fokusin e qeverisë mbetet lufta ndaj korrupsionit në funksion të së cilës është ndërmarrë edhe Reforma e Moshës Dixhitale dhe për këtë kërkoi mbështetjen e USAID-it si edhe në rritjen e partneritetit publik –privat. Gjithashtu, kryeministri theksoi se prioritet madhor mbetet reforma në Shëndetësi, “të cilën do ta zbatojmë me vendosmëri, pavarësisht kostos që do të ketë kjo reformë”.

2 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›