E Shtunë, 31 Tetor 2026

Balla: “Refuzimi i maxhorancës për kërkesat e KiE-së, po degradon krizën”

Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi dje se kryeministri Sali Berisha po heziton të zbatojë rekomandimet e Këshillit të Europës, ndërsa ka shprehur gatishmërinë e opozitës për të dialoguar për zgjidhjen e krizës politike.
Sipas tij, refuzimi i maxhorancës për të adresuar kërkesat e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës po degradon krizën. Balla theksoi se kriza ka një impakt negativ në procesin e integrimit europian, por edhe në procesin e liberalizimit të vizave. “Zbardhja e të vërtetës së 28 qershorit përmes hetimit të plotë parlamentar nuk është më thjesht dhe vetëm kërkesa e Partisë Socialiste, popullit opozitar apo dhe e disa partnerëve ndërkombëtarë. Kjo kërkesë, e shprehur në Rezolutën e Këshillit të Europës, është tashmë një detyrim që buron nga statusi i Shqipërisë si vend anëtar i KE-së, detyrim me të cilin Sali Berisha nuk mund as ta luajë, as ta anashkalojë. Bojkoti nuk është zgjedhja e Partisë Socialiste, por e Sali Berishës”, - u shpreh Balla. Deputeti socialist theksoi se kjo rezolutë është ushtrim i kompetencave dhe angazhimeve të Këshillit të Europës siç edhe parashikohet në statutin e tij. Ndërkaq, Balla nënvizoi se respektimi i rekomandimeve që burojnë nga Rezoluta është një detyrim i pakthyeshëm për Shqipërinë si një vend anëtar i Këshillit të Europës.

2 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›