"Acrassicauda, refugjatët irakianë të rrokut
Nuk të ndodh çdo ditë që DJ i “National Public Radio” të pasionohet pas një bande heavy metal, por “Acrassicauda” nuk është një grup si gjithë të tjerët. Kuarteti, emri i të cilit do të thotë “akrep i zi”, koncertin e parë e ka zhvilluar të mbrojtur nga mure kundër shpërthimit dhe tela me gjemba; ka parë të hidhej në erë salla e provave që u godit nga një raketë dhe janë kërcënuar me vdekje nga fundamentalistët, sepse luante “muzikë djallëzore perëndimore”. E gjitha kjo kishte ndodhur para se të shkelnin në ndonjë studio regjistrimi. Sigurisht, Iraku nuk është vendi ideal për të krijuar një grup rroku. “Në Irak, grupet e vetme muzikore janë ato që luajnë nëpër martesa apo festat përreth”, shpjegon Marwan Riyadh, 25 vjeç baterist i “Acrassicauda”-s. Jeta dhe veprimtaria e tyre ishte në qendër të “Heavy metal in Baghdad”, një dokumentar i vitit 2007 i prodhuar nga Spike Jonze dhe i drejtuar nga Suroosh Alvi, themelues i revistës “Vice”. Faisal Talal, Tony aziz, Firas Al-Lateef dhe Riyadh, miq që nga liceu, kanë arritur të “kundërshtojnë” klimën e dhunshme të vendit të tyre duke ëndërruar se një ditë mund të rrisnin flokët dhe të luanin muzikën që pëlqenin pa hasur kundërshtime apo frikë. Historia e rokerëve të Bagdadit në kohën e luftës tërhoqi menjëherë vëmendjen. BBC, “Al Jazeera”, CNN internacional, dhe rrjete të tjera informacioni kanë folur, duke e bërë këtë bandë një nga më të njohurat në botën arabe, por njëkohësisht edhe një nga më të ekspozuarat ndaj rreziqeve. Kështu, në vitin 2006 shitën instrumentet e tyre dhe u larguan nga vendi.
ëndrra amerikaneTë detyruar të zhvendoseshin vazhdimisht, për më shumë se dy vjet “Acrassicauda” lëvizi mes Turqisë dhe Sirisë. Pastaj një vit më parë, falë ndihmës së “Internacional rescue commitee” dhe një donacioni prej 40 mijë dollarësh të mbledhura nga “Vice”, grupi ia doli mbanë të mbërrinte në Amerikë. Gjatë javës së tyre të parë përtej oqeanit, “Acrassicauda” u ftua nga “Metallica” në backstage-in e një koncerti në Newark Prudential Center, ku këngëtari James Hetfiled i dha azilit kitarën e tij duke i lënë edhe një autograf me mbishkrimin “Mirëserdhët në Amerikë”. Ndalesa tjetër ishte suksesi mes yjeve të rokut. Ose ndoshta jo. Edhe pse më në fund u publikuan disa këngë të grupit të përmbledhura në emrin “Only the dead can see the end of the war”, pjesëtarët e grupit janë të detyruar të bëjnë nga dy-tri punë, ndaj e kanë të vështirë të gjejnë kohë për të bërë prova. “Jemi mbretër pa fron”, ironizon Al-Lateef 28 vjeç, kitaristi që u arratis bashkë me gruan duke braktisur dyqanin e kompjuterëve në Bagdad. “Jemi të famshëm, por shpesh pyes veten se çfarë kemi bërë deri tani. Të shohësh pas është e vetmja gjë që të bën të ecësh përpara”. Riyadh që në Irak jepte anglisht dhe art e që tani punon si kamerier është në ankth për të ardhmen. “Jemi këtu që prej një viti. Shpesh mendoj nëse do t’ia dalim mbanë apo do jemi thjesht refugjatë që bëjnë çdolloj pune për të mbijetuar”. Nga 2003 kanë arritur në SHBA rreth 30 mijë refugjatë irakianë. Shumë që bënin pjesë në borgjezinë e Bagdadit mendonin se në Amerikë do të vazhdonin të bënin të njëjtin stil jetese, por kanë gabuar, duke e gjetur veten në pragun e varfërisë. “Shumë prej tyre prisnin të ndihmoheshin më shumë nga një vend që ka pasur një rol thelbësor në fatin e jetëve të tyre ndaj po përballen me një realitet të vështirë”, tregon Melissa Winkler, zëdhënëse e “International Rescue Commitee”. Pothuajse të gjithë pjesëtarët e “Acrassicauda” gjetën punë tre-katër muaj pasi kishin shkuar në Amerikë. Megjithatë, bëhej fjalë për punë të çfarëdoshme dhe gjithmonë janë në kërkim të diçkaje më të mirë. “Mendonim se gjërat do të kishin qenë ndryshe sapo të vinim këtu. Besonim se do jepnim intervista dhe koncerte. Përkundrazi u gjendëm gjashtë veta në një dhomë gjumi”, tregon Riyadh që në fillim jetonte me gjithë grupin, me gruan dhe djalin e Al-Lateef në Elizabeth, në Nju Xhersi. Por kushtet e vështira të jetesës i detyruan anëtarët e grupit të ndaheshin nga njëri-tjetri: Azizi, 31 vjeç, që nuk flet mirë anglisht dhe ka nevojë për përkthyes, u largua nga Nju Xhersi për t’u vendosur te disa miqtë e tij në Detroit. Riyadh shkonte për të fjetur në shtëpitë e miqve, ndërsa Mustafa, këngëtari 26 vjeç mendoi seriozisht të rikthehej në shtëpinë e tij në Irak: “Nuk ishte e thjeshtë të vije këtu, por kthimi në vendlindje do të ishte më i vështirë. Megjithatë, shpesh mendoj për të gjithë njerëzit që kam lënë atje. ç’të bëj tjetër?”.
NdihmatGjithçka ndryshoi kur Mustafa dhe Riyadh morën një shtëpi në Brooklin dhe e bindën Azizin të kthehej me ta. Edhe komuniteti muzikor nisi t’i ndihmonte më seriozisht. Paul Green, themeluesi i “School of Rock”, i ofroi një hapësirë falas për të bërë prova në shkollën e tij. Dave Dreiwtz i grupin “Ween” i dhuroi një kitarë dhe në fund njëri nga heronjtë e tyre Alex Sklonick i “Testament” u kujdes për ta. I ndihmoi të gjenin instrumente të reja, të përmirësonin performacën e tyre dal-vivo dhe të hynin në një studio regjistrimi. “Muzika e tyre nuk ishte aq e përpunuar sa duhej. Për këtë kërkonte ende punë”, deklaron Skolnick, që prodhoi këngët e para të tyre në Amerikë. “Për vite me radhë kanë jetuar në një vend të pushtuar dhe në prag të luftës civile, ku edhe provat ishin të rrezikshme. Kishin shumë për të rikuperuar. Por pashë tek ata një talent shumë të madh dhe sound-i i tyre funksiononte. Kanë bërë shumë rrugë dhe kam shumë shpresë për këtë grup”. “Acrassicauda” ka një avantazh në krahasim me pjesën më të madhe të grupeve të tjera heavy metal i kanë përjetuar vërtet historitë e dhunës të cilave u këndojnë nëpër këngët e tyre. Lufta është një nga temat më të shpeshta në këngët e grupeve thrash metal. Këngët që sapo kanë nxjerrë janë pëlqyer shumë. “Janë grupe që çdo fans i ‘Metallica’ apo Slayer”, do të dijë t’i vlerësojë ka shkruar “Time Out”. Grupi ishte i ftuar në “Mtv Headbangers ball” dhe Rachel Maddow i ftoi që të këndonin në shoun e tij. Por, për Acrassicauda shenja më e rëndësishme e suksesit ka qenë performanca live në “Scion rock fest” në Ohajo. “Duam të bëhemi të famshëm për muzikën tonë. Duam të dëgjojmë mijëra persona të brohorasin në një koncert tonin. Nuk duam vetëm të mbijetojmë duam të bëjmë emër”, thotë Azizi në një anglishte akoma jo perfekte.
#