8 milionë euro prokurime për pajisjet mjekësore
Spitali universitar “Nënë Tereza” i nivelit terciar do të ketë shumë shpejt “margaritarin” e saj të radhës. Mungon edhe pak kohë nga inaugurimi i masterplanit të QSUT-së, një spital i vogël brenda qendrës spitalore, i cili pritet të zgjidhë të gjitha nyjat e gonxhet aktuale që i janë bërë “peshqesh” sistemit spitalor. Madje, teknologjia e avancuar me të cilën do të punojë kjo godinë pritet të konkurrojë edhe simotrat në Europën Perëndimore.
Për inaugurimin e masterplanit të QSUT-së konfirmohet se ka përfunduar blerja e aparaturave dhe ato tashmë ndodhen në fazën e instalimit. Dje në Komisionin e Shëndetësisë është diskutuar se pajisjet mjekësore për këtë fazë janë prokuruar me buxhetin e shtetit, me një fond prej 8 milionë eurosh.
Tashmë janë në procesin e ardhjes dhe instalimit të tyre. Parashikimi për këtë fazë është që në muajin qershor të fillojë nga funksionimi. Domosdoshmëria e realizimit të fazës së dytë lidhet me eficensën e centralizimit të shërbimeve dhe përdorimin e përbashkët e pajisjeve mjekësore.
Sipas ministrit të Shëndetësisë, ky projekt ofron një impiant spitalor të barabartë me simotrat në Europën Perëndimore. Krahas pjesës që siguron funksione spitalore është edhe pjesa tjetër, qoftë impianti i gazit apo furnizimi me ujë. Ndërkohë që Vasili referoi se shëndetësia shqiptare nuk e ka humbur ritmin e investimeve, duke ruajtur një nivel konstant të intensifikimit të sistemit spitalor.
“Niveli i teknologjisë së ofruar i njëjtë me atë të Europës Perëndimore, duke pasur dhe kapacitetet profesionale në QSUT, na bëjnë të diagnostifikojmë dhe përballojmë urgjencën me cilësi në kohën e duhur, duke eliminuar edhe pakënaqësitë e qytetarëve, që kërkojnë ekzaminime në kohën e duhur”, theksoi Vasili.
Sipas tij, shqiptarët do të kenë përfundimisht shërbime spitalore cilësore dhe ky vit do të jetë një vit i një transformimi spitalor të jashtëzakonshëm.
#