E Shtunë, 31 Tetor 2026

Costa Gavras: Orgjia e pushtetit? Paraja

“Nuk i kam kuptuar kurrë miliarderët. çfarë mund të na bëjnë me pasuritë e tyre të pamasa? E ku e kanë gjetur gjithë atë grykësi e këmbëngulje për të grumbulluar vazhdimisht para?” Këto pyetje i ka bërë një regjisor shumë i famshëm me origjinë greke e me banim në Paris: Costas Gavras. Pikërisht për paratë, ai është duke shkruar skenarin e filmit të tij të ardhshëm. Ashtu sikundër ka ndodhur edhe në vitin 1969 kur xhiroi “Z-orgjia e pushtetit” një film për diktaturën e kolonelëve në Greqi, apo një vit më parë kur përfundoi së realizuari “Drejt Edenit”, një film për fatin e emigrantëve klandestinë në Europë, edhe ky film frymëzohet nga një argument mjaft aktual. “Po, po këtë herë nuk mund veçse të bëhej fjalë për paratë, duke qenë se janë ato në mesin e krizës që po përjeton bota që prej dy vitesh. Më intereson fakti se si disa persona arrijnë që të grumbullojnë para të pafundme dhe cili është ndikimi i tyre në botë. Paratë ishin fillimisht një shpikje e jashtëzakonshme, po aq e rëndësishme sa edhe vetë të shkruarit. Por fatkeqësisht fati e solli që ato janë shndërruar tani në diçka të dëmshme për njeriun. Madje, më keq akoma në një katastrofë të vërtetë”, thotë regjisori i famshëm.

Po ju vetë a do t’ju pëlqente që të bëheshit shumë i pasur?

Po, por vetëm për të pasur mundësi për të prodhuar filmat e mi. Sa për të tjerat nuk kam nevojë as të kem në pronësi tri shtëpi, as një tufë makinash apo avionë privatë. Kam zbuluar që në disa dyqane shiten orë që kushtojnë mbi 150 mijë dollarë. Problemi është se në këtë orë merr të njëjtin informacion që merr edhe nga një orë 10 dollarëshe. Dhe sinqerisht, që nuk kuptoj se ku qëndron diferenca. Sigurisht, nëse do të isha Berluskoni do të kisha nevojë për para, sepse do të më duheshin për të paguar avokatët më të mirë.

Le të qëndrojmë në temën e parave, ju që keni lindur në një vend të vogël të Peloponezit, si do ta interpretoni krizën e thellë financiare që po kalon Greqia?

Grekët kanë jetuar në pasuri për një kohë të gjatë, qeveria e djathtë e dinte fort mirë që financat e vendit ishin në prag të falimentimit e si pasojë shpalli zgjedhjet e parakohshme, të cilat i humbi dhe këtë e bëri qëllimshëm për të mos u përballur me katastrofën që ishte në prag. Patatja e nxehtë është tani në duart e qeverisë socialiste të Papandreut. Atij i takon edhe detyra më e vështirë, pra ajo e reduktimit të shpenzimeve, reduktimit të pagave për të ndaluar tragjedinë, falimentimin e shtetit.

Ju keni xhiruar vetëm filma me temë politike. Kjo është arsyeja që shpesh e keni të vështirë për të gjetur producentë?

Po, edhe pse për fatin tim të mirë ”Z-orgjia e pushtetit” shkoi shumë mirë në kinema. Suksesi i këtij filmi më ka frymëzuar shumë në vazhdimësinë e rrugës sime. Por përveç kësaj, sigurisht që është shumë e vështirë të bësh një film që ka temë tjetër nga ajo komike, policeske, por që është një film që flet për tema shoqërore. Në Francë ku edhe jetoj dhe punoj që prej dhjetëvjeçarësh filmat janë një prodhim me televizionet, të cilat para se të vendosin për të financuar një film shohin mirë edhe ndikimin që ai do të ketë tek audienca. Mua, falë Zotit, vazhdojnë që të më japin para, edhe pse gjithmonë janë shumë pak.

Edhe pse mund të ngjajë e çuditshme, por ju keni punuar edhe në Hollivud. Në këtë rast keni bërë një pakt me djallin?

Për një regjisor, Hollivudi është parajsa, por që mund të të shndërrohet befas në një ferr të vërtetë. Për shumë kolegë ky vend ka qenë një katastrofë e vërtetë. Unë nuk qëndrova gjatë në këtë vend për të provuar shijen e hidhur. Filmat që kam bërë aty i kam xhiruar me ekipe franceze dhe i kam montuar në Francë. Në Hollivud nuk preferohen shumë regjisorët e mëdhenj në moshë. Sa regjisorë hollivudianë që i kanë kaluar të 60-at punojnë sot me filmat? Jua them unë janë shumë të paktë. Copola është zhdukur nga qarkullimi, Martin Skorcese bën vetëm ata filma që ia kërkojnë për t’i bërë, sigurisht nuk bëhet fjalë më për ato kryevepra që xhironte në fillim të karrierës së tij. Shtetet e Bashkuara janë fabrika më e madhe e kinemasë në botë. Filmi aty është mbi të gjitha një produkt që ndoshta ka shanset të shndërrohet në një vlerë artistike. Ndërsa në Europë shpesh ndodh e kundërta.

A ka ende tema tabu në kinema?

Censura në sensin tradicional të fjalës nuk ekziston më. Por ka një censurë ekonomike dhe kjo është e tmerrshme. Ajo vepron si në pjesën e parë të mbledhjes së fondeve, ashtu edhe gjatë xhirimit të veprës në formën e autocensurës. Kemi eliminuar një lloj autocensure, por kemi rënë ndërkohë në kthetrat e një tjetër censure që është edhe shumë më e vështirë për t’u luftuar. Mjafton që një produktor të thotë se një subjekt i caktuar nuk i intereson dhe filmi përfundon në kosh të plehrave. Skenari është thelbi, baza e filmit. Kam përshtypjen se ajo që vlen më shumë është përmbajtja dhe kjo në çdolloj filmi. Kur keni një film të mirë dhe aktorë të mirë fotografia nuk ka shumë rëndësi. Estetizmi ka një vlerë gjithnjë e më të vogël. Pas periudhës së lavdishme të kineastëve të mëdhenj italianë të viteve ’50 dhe ’60 duket sikur gjithçka që ishte për t’u thënë është thënë dhe temat janë konsumuar.

Sipas jush cili ka qenë regjisori më i madh i të gjitha kohërave?

Federiko Felini. Së fundi kemi organizuar një retrospektivë për të “Cinematheque française), të cilën Gavras e drejton që nga viti 2007 dhe pata mundësinë që të rishihja filmat e tij. Ajo që përjetova është se ata të gjithë edhe sot janë shumë aktualë.

Ju keni punuar me Yves Montand dhe Jack Lemon. Ndër aktorët e brezit të fundit, cilin do të preferonit?

Më pëlqen Ricardo Scamarcio, të cilin e zgjodha për të xhiruar “Drejt parajsës”. Pas vdekjes së Vitorio Gazman dhe Marçello Maroiannit, ai mund të jetë aktori i fundit italian me një cilësi aktrimi të jashtëzakonshme.

Cilin regjisor shihni si trashëgimtarin e mundshëm të veprës suaj?

Nuk ekziston një i tillë. Unë vetë jam përpjekur gjithmonë që të mos ndjek asnjë shkollë të mëparshme, por të bëja filma ashtu siç i ndieja, duke u përpjekur që të shmangia të gjitha kufizimet e kulturës së dyfishtë greko-franceze dhe ato intelektuale. Shpresoj që askush të mos dojë që të bëjë filma siç i kam bërë unë. Do të ishte një katastrofë.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›