Lista e barnave me rimbursim, sot hyn në fuqi
Janë plotësuar të gjitha afatet ligjore që lejojnë hyrjen në fuqi të listës së barnave me rimbursim për vitin 2010.
Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor ka sqaruar se tashmë janë shpërndarë në të gjitha farmacitë që kanë kontratë me shtetin, lista e re, ndërkohë që kjo listë nuk është më e “mbyllur”. Të gjitha barnat e rimbursueshme nga shteti, përveç variantit të printuar ndodhen edhe në internet në faqen zyrtare të ISKSH-së. Duke nisur nga sot, lista e re e barnave të rimbursueshme hyn në fuqi dhe do të jetë e gatshme për pacientët që përfitojnë nga rimbursimi. “Lista e re e barnave të rimbursueshme është pasuruar me 17 barna të reja, nga të cilat disa formëdoza barnash që trajtojnë sëmundje kronike, duke krijuar mundësinë e një dozimi më të mirë dhe më të përshtatshëm për pacientët. Këto barna përdoren për mjekimin e anemisë, në insuficiencën renale kronike, diabetit, sëmundjeve pulmonare, apo dhe të tumoreve”, tha drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana.
Sipas saj, me këto barna do të trajtohen kryesisht kategoritë si fëmijët, gratë, invalidët dhe pensionistët. Kjo listë do të kushtojë rreth 5.5 miliardë lekë të reja për një vit, nga të cilat barnat e reja kushtojnë 131 milionë lekë.
Sa u takon barnave të reja, ka një rritje prej 2.4 për qind në raport me totalin e shpenzimeve. Drejtoresha e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor vuri theksin te përmirësimi i trajtimit me medikamente të rimbursueshme për kategorinë e grave, të cilat sot kanë një vëmendje më të madhe.
“Barnat, dydrogersterone për çrregullimet menopauzike dhe fenticanazole antimykotik, përbëjnë 1.5 për qind të barnave të reja”, tha drejtoresha e ISKSH-së.
Lista e barnave me rimbursim këtë vit do të hynte në fuqi më 1 janar të vitit 2010, ndërkohë që është bërë “legale” vetëm në muajin prill. Vonesat kanë ndodhur për shkak të disa problematikave, duke nisur nga rritja e çmimit të euros në tregun e valutës, negociatat me grosistët e barnave, si dhe kthimit mbrapsht të listës nga Ministria e Financave.
Ishte menduar që në vitin 2010 lista e barnave me rimbursim do të kishte më shumë alternativa, barna më të shtrenjta, si dhe më shumë kategori të futura në listë. Ndërkohë që kriza ekonomike që ka prekur edhe shëndetësinë, ka shkurtuar faturën financiare edhe për rimbursimin e barnave.
Pavarësisht “dashamirësisë” së aktorëve të shëndetësisë për ta pasuruar në të gjitha kuptimet këtë listë, Ministria e Financave ka kërkuar një gjykim më të ftohtë dhe objektiv për sa i takon faturës së shpenzimeve.