E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ada: E kam të vështirë të tregoj të kaluarën

Gjatë një bisede me Oltën, Ada ka thënë se ajo nuk dëshiron të jetë enigmatike për banorët e tjerë, por nuk mundet të ndajë me ta problemet që ka kaluar në jetë. Sipas saj, janë pikërisht problemet të cilat ka lënë jashtë shtëpisë që nuk e lënë të jetë aktive

Thashetheme mbi dashurinë, biseda për karakteret e njërit apo tjetrit, diskutim mbi gjendjen e rënduar që po mbizotëron në shtëpi dhe përkujdesjet për Valonin që është sëmurur kanë mbushur ditën e tyre. Ata janë shkundur nga përgjumja kur u është komunikuar prova e javës, që këtë radhë ka të bëjë me gazetën “Shqip”. Secili prej tri grupeve duhet të bëhet kreativ në bazë të sloganeve që u janë caktuar.

Banorët i bëjnë lojë Mirit

Jetmiri ka qenë duke shkruar një letër, por në një moment që ai ka lëvizur nga dhoma, letrën e ka marrë Ada dhe ia ka fshehur. Kika ka qenë prezent në dhomë gjatë kësaj kohe dhe kur Jetmiri ka ardhur për të kërkuar letrën e tij dhe i ka pyetur nëse dinin gjë, ata e kanë mohuar. Jetmiri është nervozuar dhe ka dalë në kopsht për të pyetur banorët që gjenden atje nëse dinë gjë për letrën e tij. Ai shkon te Klodi e Seldi dhe i pyet nëse ndonjëri nga ata ka futur duart te sendet e tij personale dhe Klodi i përgjigjet me shaka se ia ka parë më parë në dorë Domit dhe Oltës kur kanë pastruar në shtëpi. Duke qenë se Jetmiri nuk e kupton shakanë, e pyet Klodin mos e ka marrë ai dhe Klodi betohet që nuk di gjë për letrën që flet ai. Ada gjendet aty, por rri pa folur, duke qenë se është autorja e kësaj gjëje dhe kur Jetmiri ikën, Ada i thotë Klodit se e ka fshehur ajo, por nuk e ka lexuar. Jetmiri shkon te Bertina dhe e pyet me këmbëngulje nëse e ka marrë ajo letrën e tij dhe ajo mohon. Kika ia jep letrën kur Miri kthehet nga kuzhina. Jetmiri duket se nuk e merr mirë këtë gjë dhe i thotë se nuk duhet t’i prekë asnjeri gjërat e tij. Më pas e kalon situatën dhe shfrytëzon rastin të vërë në lojë Kikën, duke i thënë që nuk e priste nga Kika, madje ai as nuk kishte kurajën ta pranonte. Kika shprehet se nuk e ka bërë ai dhe Jetmiri tani ka detyrën të gjejë se kush ia ka fshehur letrën.

Njohje mes banorëve

Bertina dhe Erioni qëndrojnë në dhomën e gjumit dhe zhvillojnë një bisedë me pyetje-përgjigje për t’u njohur më mirë mes tyre. Ata bisedojnë për komplimentet e ndryshme që kanë marrë dhe Bertina shprehet se qëndron indiferente ndaj gjithçkaje që i thonë në rrugë. Për dhuratat ata ndajnë të njëjtin mendim dhe thonë se për ta e rëndësishme është ideja dhe se e vlerësojnë personin që ua dhuron, pavarësisht nga përmbajtja e saj. Në ndryshim nga Erioni, Bertina thotë se i pëlqen të dhurojë. Ajo e pyet Erionin se çfarë vlerëson te një person i dashur dhe ai përgjigjet se vlerëson faktin që e bën të ndihet mirë. Erioni thotë se situatat që e bëjnë të ndihet mirë është e vështirë të përshkruhen, por për ato që e bëjnë të ndihet keq, ai reagon duke ia thënë personit tjetër. Bertina shprehet se ajo vlerëson momentet kur një person i përkushtohet, kur e kupton dhe e ndihmon në situatat në nevojë. Nga fjalët e Erionit, Bertina shprehet se kupton që ai vlerëson besimin dhe kur e fiton atë, e kthen në dashuri. Në dhomën e ndenjjes, Jetmiri, Valoni dhe Ada bisedojnë për jetën që bëjnë. Kështu ata flasin për shkollën, shoqërinë, emigracionin dhe vështirësitë e jetës në emigrim.

Prova e javës

Banorët gjallërohen sapo Jetmiri i lajmëron se do të merren me provën e javës. Ai u tregon se prova e kësaj jave ka në qendër të saj gazetën “Shqip”, e cila do t’u shërbejë si simboli kryesor mbi të cilin ata do të vënë në funksion kreativitetin e tyre. Banorët do të ndahen në tri grupe, ku secili ka nga një slogan të përcaktuar që do ta lidhë me këtë gazetë. Duke u bazuar te slogani përkatës, çdo grup duhet të ndërtojë disa objekte të caktuara. Grupi i parë përbëhet nga Klodi, Bertina, Olta dhe Seldi, të cilët kanë si slogan “Gazeta ‘Shqip’ - gjithnjë në modë me një imazh të kuruar”. Grupi i dytë që përbëhet nga Miri, Ada, Valoni dhe Edi do të kenë si slogan “Gazeta ‘Shqip’ - solide, e pavarur, gjithëpërfshirëse në tregun mediatik shqiptar”, ndërsa grupi i tretë ka sloganin “Gazeta ‘Shqip’ - art, kulturë, koncept, por jo vetëm...” dhe përbëhet nga banorët e tjerë, Erioni, Domenika dhe Hakiu. Banorët marrin edhe gazetat, të cilat do t’i ndihmojnë në realizimin e kësaj prove. Ata ndahen në grupe dhe menjëherë fillojnë të diskutojnë mbi idetë që u kalojnë nëpër mend, të cilat janë nga më të larmishmet. Disa prej tyre lexojnë dhe komentojnë titujt e gazetave.

Përkujdesjet për Valonin, surpriza e Bertinës

Banorët janë mbledhur rreth Valonit, i cili qëndron i shtrirë në dhomën e gjumit. Ata përkujdesen për të, shikojnë gjendjen aktuale shëndetësore dhe thonë se ka pak temperaturë. Banorët diskutojnë për shkakun e sëmundjes së Valonit, larjen në pishinë dhe shprehen se ai e ka pasur vetë fajin, sepse uji ka qenë shumë i ftohtë. Ata flasin me ngadalë dhe përpiqen të mbajnë qetësi që Valoni të mos bezdiset, por në të njëjtën kohë nuk largohen prej tij që të mos e lënë vetëm. Bertina i kërkon ndihmë Jetmirit, sepse ka menduar që t’i organizojë një surprizë Erionit. Ajo i kërkon që ai ta mbajë pak larg nga ajo Erionin, ndërsa do të ketë kohën që t’i përgatisë surprizën. Bertina tregon se i ka krijuar një poezi, të cilën ia reciton edhe Mirit dhe thotë se këtë do që ta shkruajë në ndonjë letër e t’ia dhurojë. Miri i jep idenë e shkrimit në bluzë dhe i thotë se çfarëdo që të vendosë ajo, ai do të jetë gati ta ndihmojë. Miri e këshillon që ajo të shpejtojë me organizimin e surprizës, sepse duhet të ketë parasysh se është në nominim dhe koha nuk i premton gjatë.

Bertina, e mërzitur nga fjalët e Erionit

Jetmiri dhe Bertina vazhdojnë të diskutojnë mes tyre. Miri i tregon se Erioni i kishte thënë se ajo duhet të shoqërohet më shumë me vajzat e tjera, sepse e ka nevojën për të pasur një shoqe. Ai i jep disa këshilla Bertinës dhe i thotë se këto janë për të mirën e saj. Bertina e përsërit fjalën e fundit të tij me një intonacion dyshues. Ajo shprehet se nga bisedat me të ka vënë re se ai ose kërkon që të vërë në provë shoqërinë mes tyre, ose po kërkon që të ndryshojë strategjinë e lojës së tij. Jetmiri ia kthen se asnjëra prej tyre nuk qëndron dhe kur Bertina i kërkon versionin e tij, ai i thotë se nuk është i detyruar t’i shpjegojë asgjë, ashtu sikurse dhe ajo atij. Bertina habitet nga këto fjalë dhe i thotë se mënyra se si ata e konsiderojnë njeri-tjetrin, si dy miq të ngushtë apo si motër e vëlla, e bën që të mendojë se ata kanë detyrime të tilla ndaj njëri-tjetrit. Miri insiston në mendimin e vet, ndërsa Bertina e pyet se çfarë kërkon ai vërtet nga ajo. Miri i thotë se kur të dalë nga shtëpia, ajo do ta kuptojë këtë gjë. Bertina thërret Erionin dhe e pyet se përse ai i ka thënë që ajo nuk ka shoqe. Erioni shprehet se kjo që tha nuk kishte asgjë të keqe, pikërisht se e shikon atë të distancuar nga vajzat e tjera. Bertina thotë se përse vajzat e tjera të mos përpiqen që t’i afrohen asaj, meqë ajo e ka të vështirë këtë pjesë. Ajo thotë se e ofendon fakti që është bërë për t’u komentuar dhe shton se ajo vetë nuk sheh asnjë problem, sepse me dy prej atyre vajzave ajo nuk shkon fare.

Olta dhe Bertina, në një grup për provën

Ndërsa presin për materialet shtesë për realizimin e provës, banorët diskutojnë me njëri-tjetrin dhe marrin mendime për idetë që kanë krijuar. Klodi tregon se ndërsa po bisedonte me Bertinën mbi provën impenjative dhe se u duhet kohë për ta realizuar, ishte shprehur që grupin e tyre ta ndanin në dy nëngrupe: ai me Seldin dhe ajo me Oltën, por Bertina i kishte thënë se ai nuk duhet ta provokonte më me këto fjalë, duke i hedhur poshtë idenë e tij. Klodi shprehet se ato janë të detyruara të punojnë bashkë dhe thotë se dy vajzat nuk janë në gjak me njëra-tjetrën dhe me kaq pak mosmarrëveshje që kanë, nuk e kupton se përse të mos rrinë bashkë. Olta thotë me ironi se Bertina është me diplomë, e shkolluar dhe e di vetë se çfarë bën, ndërsa Domi mendon se kur duhet të punojnë në grup, nuk mund të bësh dallime. Klodi thotë se po mundohej për më të mirën dhe se nëse nuk bashkëpunojnë, nuk do mund të kalojnë provën me sukses.

E kaluara e Adës

Në dhomën e gjumit ka rënë qetësi. Banorët rrinë të heshtur, duke u kujdesur herë pas here për Valonin, i cili nuk ndihet mirë me shëndetin. Ada, Olta dhe Domenika rrinë shtrirë në heshtje. Ada është e mërzitur dhe i kërkon Oltës që të dalin jashtë për të pirë cigare. Kështu, vajzat dalin jashtë dhe ulen pranë pishinës. Ato bisedojnë për jetën dhe vuajtjet që kanë kaluar. Ada thotë se ajo e ka të vështirë të tregohet e hapur me banorët e tjerë, sepse nuk arrin që t’u tregojë atyre pjesë nga e kaluara e saj. Ajo i thotë Oltës se jeta e saj ka qenë e mbushur me vështirësi që nga fëmijëria. “Unë nuk dua të ngelem gjatë gjithë kohës enigmatike, por nuk arrij dot të flas për gjërat e mia, nuk e bëj dot”, shprehet Ada. Olta i thotë se edhe ajo ka kaluar vështirësi në jetë, por do që të tregohet e fortë. Ada thotë se ajo nuk i shpreh dot të gjitha ato që ka kaluar dhe shprehet, “mua vetëm gjaku më ka ngelur pa dhënë”. Olta i thotë Adës se ajo e sheh që banorët e tjerë mund të kenë pasur mungesën e ndonjërit prej prindërve, por duken që kanë pasur një jetë normale e të qetë. Edhe Ada thotë se asaj i bëhet qejfi kur sheh që Seldi është aq energjik, aq i qetë, por ajo vetë nuk mundet që t’i ndajë të kaluarat e saj me banorët e tjerë dhe kjo gjë e pengon atë të tregohet aq energjike në lojë. Ada shprehet se ndihet e lumtur që ka motrën, personin me të cilin flet lirshëm dhe mund të qajë hallet. Olta i thotë se edhe ajo do të donte të kishte një motër edhe pse me vëllain e saj është mjaft e hapur. Ada thotë se vuajtjet e saj nuk e lënë që të jetë aktive, sepse nuk mundet të rrijë pa menduar për problemet e saj që i ka lënë jashtë shtëpisë. Më pas të dyja bisedojnë për banorët e tjerë, ku Olta i tregon Adës se kur luanin me shishe i kishte bërë disa pyetje Erionit dhe e kishte kuptuar se ai nuk ka ndjenja të vërteta për Bertinën.

Thashetheme për dashurinë

Ada flet me Bertinën dhe Erionin për disa minuta rreth familjeve të tyre. Më pas Erioni dhe Bertina lajnë enët, ndërsa Ada bisedon me Seldin jashtë. Ata flasin për dashurinë dhe kryesisht për ndjenjat që ekzistojnë në shtëpinë e BB3. Ada i thotë Seldit se dashuria nuk është e parashikuar që mund të lindë dhe të shuhet kur personi e dëshiron një gjë të tillë. Duke iu referuar ndjenjave të Seldit për Domenikën, Ada i thotë Seldit se nuk duhet që të përdorë fjalën “e dashuroj”, kur në të vërtetë ka vetëm ndjenja simpatie dhe fjala e duhur do të ishte “e pëlqej”. Seldi i thotë edhe një herë tjetër se ai jo vetëm e pëlqen shumë Domenikën, por ndien akoma më tepër se kaq, duke thënë “e dua”.

Më pas ai e pyet Adën se si e sheh ajo dashurinë e Erionit dhe Bertinës. Ada i përgjigjet se në këtë çift sheh ndjenja më tepër nga ana e Bertinës. “Shoh që Bertina e pëlqen shumë Erionin, ndërsa Erioni nuk më duket sikur ka ndjenja të njëjta për Bertinën”, sqarohet Ada. Seldi e pyet se përse ajo ka këtë mendim, por Ada i thotë se ky është thjesht mendimi i saj. Seldi kërkon që të vazhdojë më tepër thashethemet dhe i thotë “mua nuk më duket ashtu, unë për vete mendoj se Erioni ndien më tepër sesa Bertina”, por Ada preferon të mos komentojë më tepër, duke thënë vetëm “ndoshta”.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›