Trafikoi një femër në Gjermani, në gjyq Mërtiraj
Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet për Adrian Mërtiraj, i cili akuzohet për “shfrytëzim të prostitucionit në rrethana rënduese”. Sipas akuzës, Mërtiraj në pranverën e vitit 2004 është njohur me shtetasen E. H., e cila kishte ardhur në Tiranë dhe jetonte në Qytetin Studenti. Ky shtetas i ka premtuar të dëmtuarës se do ta merrte me vete në Gjermani. Shtetasja E. H., e ka pranuar propozimin dhe pasi ka ardhur garancia nga Gjermania, nga shtetasja gjermane Krista R., e cila ishte bashkëshortja e Adrian Mërtirajt në Gjermani, ajo ka marrë vizën dhe ka ikur në Gjermani. Atje ajo është pritur nga Mërtiraj dhe është sistemuar në një hotel. Me kalimin e kohës ai i ka kërkuar asaj të prostituojë, dhe kundërshtimi i të dëmtuarës e ka acaruar atë, duke ushtruar dhunë mbi shtetasen E. H. Që nga ajo kohë e në vazhdim, e dëmtuara është detyruar me forcë të ushtrojë prostitucion nën ndikimin e dhunës çnjerëzore të të pandehurit. Në gusht 2007, e dëmtuara është shtruar në urgjencën e spitalit të Essen në Gjermani, pasi ishte rrahur egërsisht nga i pandehuri. E ndihmuar nga një shtetas kosovar, ajo është larguar më pas drejt Shqipërisë, ku ka depozituar dhe kallëzimin përkatës. Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar dosjen në gjykatë.
#