Tentoi të vriste babanë e ish të dashurës, në burg i riu
Ruzhdi Pupla, 25-vjeçari i arrestuar ditën e mërkurë, teksa kishte vendosur të qëllonte mbi babanë e ish të dashurës së tij, do të qëndrojë në qeli deri në fund të hetimeve. Gjykata e Tiranës caktoi dje masën e sigurisë ndaj tij, duke e lënë në “arrest me burg” deri në përfundim të hetimeve rreth ngjarjes për të cilën është vënë në pranga. Burime pranë gjykatës së kryeqytetit sqaruan se në seancën e djeshme Pupla nuk ka shfaqur pretendime përpara trupit gjykues, ndërsa avokati i tij mbrojtës kërkoi nga gjykata një masë më të lehtë sigurie. Pasi dëgjoi pretendimet e palëve, kryesuesi i seancës vendosi masën e “arrest me burg pa afat” për të pandehuri për akuzën e “vrasjes së mbetur në tentativë”. Krimi që dyshohet se do të kryente Pupla u parandalua, pas njoftimit në kohë të policisë kryeqytetase nga ajo e Burrelit. Parandalimi i krimit, që tentoi të bënte 25-vjeçari Pupla, u regjistrua mesditën e së mërkurës në Paskuqan të Tiranës, ndërsa u rrëfye nga i pandehuri dje në gjykatën e kryeqytetit. Burime zyrtare të policisë së kryeqytetit, pohuan ditën e arrestimit se parandaluan një vrasje të planifikuar në Tiranë nga Pupla. Mësohet se Pupla, lindur në fshatin Shlli, komuna Macukull të Qarkut Dibër, ishte emigrant në shtetin grek. Ndërkohë që të mërkurën ai u prangos në flagrancë nga policia e kryeqytetit teksa po tentonte të qëllonte me armë zjarri, pistoletë, mbi Hamit Izviran, 50 vjeç. “Dyshohet se motiv kryesor për këtë ngjarje ka qenë ndarja nga e dashura e autorit të dyshuar, ku i dëmtuari është babai i ish të dashurës së tij”, thuhej zyrtarisht nga policia. Sipas burimeve, mësohet se 50-vjeçari Izvira nuk e kishte lejuar Pulpën të fejohej me vajzën e tij, me të cilën agresori kishte pasur një lidhje njëvjeçare. Duke mos u pajtuar me vendimin e babait të ish të dashurës së tij, 25-vjeçari Pulpa kishte marrë një armë dhe nisur drejt shtëpisë së saj në Paskuqan. Por strukturat e policisë së Burrelit kanë “prishur” planin e të riut, pasi sinjalizuan homologët kryeqytetas për atë që pritej të ndodhte. Sapo ka arritur në destinacion, duke lëvizur në këmbë nëpërmjet fshatrave të Dajtit, ai u prangos nga policia nën operacionin e koduar “Tujani” dhe iu sekuestruar pistoleta tip Zastava 635. ar.ba.