E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrau pronarin italian, dënohet me 16 vjet burg

 

ITALI – Një shqiptar u dënua dje me 16 vjet burg nga drejtësia italiane për akuzën e “vrasjes”. Mediat e vendit fqinj bënë të ditur verdiktin e Gjykatës së Breshias në ngarkim të të pandehurit Hamit Luci. Luci akuzohej për vrasjen me mjete të forta të punëdhënësit të tij Mauricio Rikini, ngjarje e ndodhur në nëntor të vitit të kaluar. Bëhet e ditur se gjatë shqyrtimit gjyqësor, Luci e ka justifikuar krimin se “i kishte ikur mendja”, kur punëdhënësi i tij e kishte kërcënuar për përjashtim nga puna, përpara të gjithë punonjësve të tjerë të ndërmarrjes. “U ndjeva i poshtëruar dhe i fyer. Humba vetëdijen dhe nuk kuptova më asgjë. Kapa një shufër hekuri, e qëllova dhe pastaj ika. Nuk mbaj mend as se ku e qëllova, por kujtoj vetëm inatin”, mësohet të jetë rrëfyer Luci para gjykatës. Ndërkohë që gjykata nuk është bindur dhe ka vendosur 16 vjet burg për shqiptarin 49-vjeçar. Ngjarja ku ka mbetur i vrarë Mauricio Rikini, pronar i një ndërmarrjeje, ndodhi në 11 nëntor të vitit 2008. Sipas prokurorëve të vendit fqinj, mëngjesin e kësaj dite, mes Lucit dhe Rikinit, punëtor dhe punëdhënës, kishte nisur një grindje. Në grindje e sipër, Luci ka goditur me një shufër metalike në kokë Rikinin, i cili ka vdekur nga plagët e marra.                     a.b.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›