E Shtunë, 31 Tetor 2026

Adebajor vesh fanelëne Realit: Pas atentatitkalova një traumë

MADRID- Emanuel Adebajor është prezantuar të enjten me fanelën e Realit të Madridit, ndërsa ka deklaruar se ulje-ngritjet e tij me skuadrën e Mançester Sitit kanë qenë si pasojë e traumës së pësuar në Kupën e Kombeve të Afrikës një vit më parë.

Autobusi i kombëtares së Togos u sulmuar nga njerëz të armatosur në Angola dhe sipas sulmuesit, ajo ndikoi jo pak në karrierën e tij. Por, vajtja te Reali shihet si një shans i artë për të.

“Fola në mëngjes me Murinjon dhe gjithçka shkoi shumë mirë, - deklaroi Adebajor. - Jam i shumë, shumë i lumtur që i bashkohem këtij klubi”. Ai tregoi gjithashtu për momentet e vështira pas atentatit me plumba në Afrikë. “Ëndrra ime për të luajtur futboll sërish u realizua dhe tani jam te Reali i Madridit, - deklaroi Adebajor. – Pas Arsenalit, shkova te Siti, ku pata disa ulje-ngritje, pasi isha pranë vdekjes në Angola. Isha i traumatizuar nga gjithë ato gjëra, por ky vit ka nisur në mënyrën më të mirë, me kalimin në këtë klub të madh”.

Ndërkohë, ai u shpreh se nuk e sheh Karim Benzema si një problem dhe se ata të dy, mund të luajnë shumë mirë së bashku.

Emanuel Adebajor u largua 3 ditë më parë nga Mançester Siti, pas problemeve që ai ka patur me trajnerin Roberto Mançini, që thuajse nuk e fuste asnjëherë si titullar. Emanuel Adebajor pritet të debutojë me fanelën e Realit në ndeshjen e së dielës ndaj Osasunës.

(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›