E Shtunë, 31 Tetor 2026

Adebayor kthen urrejtjen në dashuri

Nga Express më 19 shtator 2011 në ora 19:59

Emmanuel Adebayor beson se ka fituar përkrahjen e tifozëve të Tottenhamit, pas dy golave që shënoi në debutimin e tij në White Hart Lane në fitoren 4-0 ndaj Liverpoolit të dielën.

Ish sulmuesi i Arsenalit muajin e kaluar iu bashkua rivalit londinez Tottenhamit, pas një periudhe të pasuksesshme në Manchester City, ndërsa realizoi edhe në udhëtim te Wolves duke hapur llogarinë e tij për skuadrën e Harry Redknappit.

Dy gola të tjerë në White Hart Lane të dielën konfirmuan rrezikun e tij për mbrojtjet kundërshtare dhe frika se përkrahësit e Tottenhamit do ta kenë vështirë të përqafojnë ish yllin e Arsenalit është larguar shumë shpejt.

“Jam shumë i lumtur”, tha Adebayor për Sky Sports. “Është gjithmonë me rëndësi të shënoni golin e parë në shtëpi. E kam bërë edhe në udhëtim. E di se tifozët më duan sepse ata kërkojnë këso gjëra, një futbollist që shënon gola. Jam shumë i lumtur që gjithçka është duke shkuar mirë për mua në këtë klub. Shpresoj të vazhdoj kështu me punë të madhe”, përfundoi ai.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›