E Shtunë, 31 Tetor 2026

Adebayor lë Kombëtaren

Emmanuel Adebayor ka vendosur t’i japë fund eksperiencës së tij me Kombëtaren e Togos, në moshën 26-vjeçare. Sulmuesi i Manchester Cityt e mori këtë vendim pas incidentit tragjik që i ndodhi kontingjentit togolez, që po udhëtonte drejt Kupës së Afrikës, kur disa terroristë në Angola e sulmuan autobusin, me çka pati të vrarë dhe të plagosur.

Ish-futbollisti i Arsenal ishte spektator i asaj ngjarjeje tragjike, ndërsa përjetoi momente mjaft të vështira, duke mbetur pa luajtur disa javë, për shkak të traumës që kishte përjetuar.

“Në vazhdën e ngjarjeve tragjike që ndodhën në janar, gjatë Kupës së Afrikës, kur dy bashkëkombës të mi u vranë nga terroristët në Angola, kam marrë vendimin e vështirë që të tërhiqem nga garat ndërkombëtare me Togon”, ka thënë 26-vjeçari për ueb faqen zyrtare të Manchester Cityt.

Edhe pse nuk do të jetë më pjesë e saj, sulmuesi i shquar ka premtuar se do të jetë gjithmonë afër të gjithë Kombëtares.

“Togo ka futbollistë me talent të madh dhe uroj që futbollistët që do të mbesin, të jenë në gjendje që t’i lënë prapa krahëve kujtimet e tyre në Angola dhe të vazhdojnë të arrijnë suksese me Kombëtaren. Me personat që ishim në autobus do të kemi një lidhje ë ngushtë gjithmonë, jemi të gjithë vëllezër. Do t’i kem gjithmonë në zemër njerëzit e Togos”, ka vazhduar Adebayor.

Ndërkohë, ai është i gatshëm për ta udhëhequr Manchester Cityn në këtë finale të kampionatit, për ta arritur pozitën e katërt, edhe pse pati një sezon me ngritje dhe zbritje.

“Jam i kënaqur me formën time aktuale. Mirëpo, ky ishte sezoni im më i keq në karrierë: diskualifikime, lëndime dhe sulmi që na u bë në Angola me Kombëtaren. Jam i lumtur që jam kthyer për të luajtur dhe jam i gatshëm për derbin me United, të shtunën”, përfundoi Adebayor.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›