E Shtunë, 31 Tetor 2026

Suedia, prapa Norvegjisë

Futbollisti kosovar, Ardian Gashi, kishte pritur më shumë nga kampionati suedez. Mesfushori qendror gjatë janarit u transferua nga ekipi norvegjez, Fredrikstad FK tek ai suedez, Helsingborg, me të cilin nënshkroi kontratë trivjeçare.

Numri 8 i ekipit suedez e ka analizuar fillimin e eksperiencës së tij në shtetin skandinav, ndërsa ka vlerësuar se futbolli suedez është prapa atij norvegjez, ku e kishte kaluar pjesën më të madhe të karrierës.

“Jam mjaft i befasuar. Suedia është shumë më mbrapa Norvegjisë. Futbolli suedez ka një status inferior, ku nevojitet të bëhet diçka. Duhet të bëhen plane dhe fusha më të mira, me përjashtim të klubeve që kanë ndërtuar stadiume të reja”, ka thënë fillimisht futbollisti nga Gjakova, për të përditshmen suedeze, FotbollDirekt.se.

Edhe përfaqësuesi suedez, Anders Svensson, nuk ka mundur të heshtë, duke e kritikuar fort Federatën e Futbollit të Suedisë, duke kërkuar një të ardhme më të mirë për futbollin suedez.

Ardian Gashi, njëri prej yjeve më të mëdha të kampionatit suedez aktualisht, kishte zbarkuar në Helsingborg për ta parë futbollin e bukur, siç mendonte ai sikur në Norvegji, por gjithçka rreth kualitetit në Suedi rezultoi më i dobët në krahasim me atë që e kishte imagjinuar.

“Kisha një pamje krejt tjetër dhe superiore, në mendimet e mia për futbollin suedez. Nuk arrij ta imagjinoj këtë. Përshtypja e përgjithshme nuk është e mjaftueshme. Norvegjia është shumë më përpara Suedisë dhe shfaq komplet resurse të tjera”, vazhdoi 28-vjeçari.

“Klubet në Norvegji kanë thjesht më shumë burime dhe pasuri. Ata shpenzojnë shumë më tepër. Po flas për atë që e kam parë. Klubet norvegjeze kanë përfituar para të majme nga kontratat televizive për futbollin norvegjez. Federata suedeze dhe klubet suedeze duhet ta marrin në konsideratë seriozisht këtë problem”, tha në fund Gashi.

Prej transferimit të tij në Suedi, Ardian Gashi me Helsingborgun ka zhvilluar 5 ndeshje, ndërsa ka realizuar një gol. Nga viti 2004, ai është përfaqësues i Norvegjisë, me të cilën pati 7 paraqitje.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›