E Diel, 1 Nëntor 2026

Adela: Bjordi, më vjen keq që të nominova

Për herë të parë edhe Republika ndodhet përballë një sfide të fortë dhe të vështirë. Për herë të parë në nominim ajo e ka përjetuar shumë keq këtë moment, e madje ka shpërthyer edhe në lot. Ajo ka dhënë si shkak për gjendjen e rënduar shpirtërore faktin se po garonte me tre konkurrentë më të fortë se ajo, si Aida, Adela dhe Qetsori. "Është hera e parë që unë kam frikë!" - është shprehur Bika.

"Kur ndihesh keq, pse e bëre?"

"Bjordi, duhet të të them diçka!" - i ka thënë Adelajda, Bjordit. Adelajda, gjatë spektaklit, në momentin e nominimeve dha dy emra: Aida dhe Bjordi. Për këtë të fundit, arsyeja ishte se ajo i thoshte të largohej dhe ai nuk e bënte. Dhe sqarimi kishte të bënte pikërisht me këtë. "Ke thënë emrin tim - e ka pyetur ai, - pse, ngaqë ishte Aida?" Adelajda ka pohuar dhe i ka thënë se ndihej keq. Bjordi i ka thënë se po qe se ndihej keq, të mos e kishte bërë. Më pas i është shpjeguar se nuk mund ta nominonte Mimozën, Republikën dhe Dritanin, sepse kishte frikë se mos rrezikonin, për Qetsorin dhe Arjonin i vinte keq se kishin qenë shumë herë të nominuar dhe duke menduar se askush nuk do të thoshte emrin e Bjordit, kishte nominuar atë. Duke ribiseduar për këtë gjë në dhomën e ndenjes, më vonë Bjordi i ka thënë: "E ke menduar se jo të gjithë të kuptojnë?!"

"Më erdhi keq për Liritën!"

"Më erdhi keq për Liritën!" - i është shprehur Republika, Mimozës. Ajo tha se nuk e kishte nominuar asnjëherë Liritën. Edhe Mimoza pohoi të njëjtën gjë dhe tha se e kishte dashur shumë Liritën. Republika ka thënë se nga gjashtë të nominuarit, për atë (Mimozën) e dinte që nuk do të dilte, për Qetsorin ishte e sigurt që do të shpëtonte, ashtu siç ishte e sigurt se do të shpëtonte edhe këtë javë, për zyshen po ashtu. Dyshimi i saj ishte ai që realisht ndodhi, mes Aidës dhe Liritës. "Kësaj radhe është shumë e fortë!" - ka thënë ajo, duke shprehur qartë frikën për veten. Mimoza është munduar ta qetësojë, duke i thënë të mos mërzitet, sepse nuk i dihej.

"Do ta shihni Bikën!"

Nominimi prej banorëve të tjerë e ka mërzitur shumë Republikën. Ajo ia ka shprehur këtë edhe të tjerëve. Në banjon e shtëpisë, Adelajda i kërkoi asaj t‘i tregonte se në grupin që kishte qenë Republika kush e kishte nominuar. Republika i tha t‘i tregonte ajo e para se kush e kishte nominuar atë në grupin që kishte qenë Adelajda, pastaj do t‘ia tregonte edhe ajo. Ajo shtoi se e kishte shumë të nevojshme ta dinte, për të kuptuar gabimet e veta. Adelajda i tha se e kishte nominuar Anjeza, me arsyen se me atë ishte lidhur më pak. Republika ka ironizuar se me të tjerët Anjeza qenka lidhur shumë e më pas ka shtuar se e kishte kuptuar sa e kishte parë dhe se, madje, kishte dyshuar se edhe Adela mund ta kishte nominuar. Republika i ka treguar Adelajdës se e kishte nominuar Qetsori, nuk e mbante mend arsyen, por për të njëjtën që nominonte edhe Aidën. Përpara se të dilte, Republika i ka thënë Bjordit, që sapo kishte hyrë aty nuk do të ishte më Bika që kishte qenë dhe se do t‘i bënte "t‘u ikte truri". Në fakt, Republika ishte një prej nominimeve të Bjordit. Adelajda ka ngelur shumë e zhgënjyer nga fakti që Qetsori e kishte nominuar. Ajo i ka thënë Bjordit se i vinte shumë inat që ishte kaq e trashë, sa i vinte keq për të tjerët dhe që kishte nominuar atë, që ishte banori i fundit që donte të dilte nga shtëpia.

"Është hera e parë që kam frikë!"

Republika e ka shprehur hapur mërzinë dhe inatin e të qenit e nominuar nga dy banorët e rinj të shtëpisë, Ani dhe Anjeza. "Është ulje, është e neveritshme të nominohem unë nga dy të sapoardhur!" - i ka thënë Republika, Bjordit. Sipas saj nuk kishte aspak logjikë që Ani ta kishte nominuar atë, me arsyen se nuk përshtatej. "Ku më njohu ky mua? - i ka thënë ajo Bjordit, - që të kuptojë se nuk përshtatet, ky tani sa erdhi!". Republika i është shprehur gjithashtu se po ta kishte nominuar ai, nuk do t‘i vinte keq, sepse ai e njihte dhe mund të mos e pëlqente, apo mund të kishte arsye ku të kapej, ndërsa Ani nuk e njihte fare, për të kuptuar që nuk mund të përshtatej. Sipas Bikës, kjo do të thoshte "të plasje nga inati". Ajo ka thënë se deri tani nuk e kishte nxjerrë anën e saj të keqe. Për Anjezën, me ironi, Republika ka shtuar se e kishte mbajtur afër, ndërsa ajo e kishte nominuar me arsyen se nuk e njihte. Bjordi i ka thënë se vetëm ajo po reagonte kaq keq dhe e mira ishte të mos bënte kështu. Republika e ka arsyetuar reagimin e vet me faktin se ndihej shumë e revoltuar, për arsyet e mësipërme, por edhe sepse nuk e pranonte dot të dilte para disa të tjerëve, që sipas saj, ishin kot në shtëpi. Ajo ka dhënë si shkak të gjendjes së saj të rënduar shpirtërore edhe faktin se për të ky ishte nominimi i parë dhe po garonte me tre më të fortë se ajo. "Është hera e parë që unë kam frikë!" - ka thënë ajo.

"Aida i thotë gjërat hapur!"

Aida, Ani dhe Qetsori kanë biseduar në lidhje me nominimet dhe çfarë kuptimi kishin ato për ta. Sipas Qetsorit, nominimet janë respekt dhe vlerësim, sepse edhe kur të nominohesh për një ves apo defekt, gjithsesi është vlerësim. Aida ka thënë se, sipas saj, nominimet janë të domosdoshme, por nuk tregojnë respekt për personin që t‘i nominon. Në atë moment Ani ka ndërhyrë, duke thënë se atij i pëlqente Aida. "Edhe mua më pëlqen Aida!" - ka thënë Qetsori, - sepse është tip që nuk kuptohet. "Ti e kupton Aidën, - ia ka kthyer ajo, - më thuaj pse!". Qetsori nuk është përgjigjur, kurse Ani ka thënë se Aida atë që kishte ta thoshte në sy dhe ishte më mirë kështu se sa të të shanin prapa krahëve.

"Kam qenë e fejuar!"

Duke folur për Xhemin që kishte zgjedhur picën e Bjordit, ky i fundit e ka pyetur Adelën a ishte e fejuar ajo dhe Adela i ka thënë që po. "Pse nuk ma the? - i ka thënë Bjordi, - unë ngela duke bërë komplimente për Xhemin!" Adelajda i ka thënë se nuk kishte ndonjë lidhje, në fund të fundit, edhe ajo vetë kishte qenë e fejuar para se të hynte në shtëpinë e "Big Brother". Bjordi e ka pyetur sesi ishte e mundur që nuk i kishte treguar asgjë për të. "Sepse nuk kam kaluar mirë asnjë ditë!" - i është përgjigjur Adelajda dhe më pas ka shtuar se atij nuk kishte ç‘t‘i duhej. "Më duhet, - i ka thënë ai, - nëse do të martohemi një ditë, më duhet!". Ai ka vazhduar ta pyesë në lidhje me ish të fejuarin e saj, por Adelajda i ka thënë se nuk donte të fliste për këtë gjë.

"Nuk kam ardhur për lekët!"

Duke vallëzuar me Adin, në festën e organizuar nga "Vëllai i Madh", Anjeza i ka thënë atij se ajo nuk kishte hyrë në shtëpinë e "Big Brother" për lekët. Ajo kishte hyrë aty për veten e vet. "S‘kam ardhur për këtë punë, jua kam lënë juve stafetën!" - ka thënë ajo. Anjeza ka shtuar se do të donte të arrinte në finale, por çmimi nuk ishte synim i saj.

"Ti duhet të fitosh!"

Bjordi është mërzitur për daljen e Liritës nga shtëpia e "Big Brother". Ai ka qarë më pas në dhomën e gjumit. Adi i ka thënë se ai duhet të bëhet i fortë, duhet të shohë përpara dhe jo prapa. Ai ka shtuar se edhe ai e kishte dashur Liritën dhe ishte mërzitur për daljen e saj, sepse ajo nuk e meritonte të dilte, por kjo ishte loja dhe Bjordi duhet ta kuptonte këtë. "Unë kam hallin tënd!" - i ka thënë ai, i shqetësuar se kjo gjendje e ulët emocionale mund të ndikonte për keq te Bjordi e rrjedhimisht edhe tek ai dhe për pasojë mund të ndryshonte drejtimin që Adi donte t‘u jepte gjërave. "Ti ke të drejtë të fitosh, - i ka thënë Adi, Bjordit, ti që ke moral të pastër!". Ai ka shtuar se këtë duhet t‘ua transmetojnë edhe njerëzve, këtë duhet të kuptojë edhe publiku, që duhet të fitojnë njerëz si Bjordi që duan të ndryshojnë botën. Por, sipas Bjordit, ai që e meriton fitoren është Adi, sepse ai duhet të rindërtojë jetën e vet, sepse ai (Bjordi) e kishte jetën përpara. Adi ka thënë se ai nuk kishte çfarë të ndërtonte më, e shumta që mund të bënte ishte të ngrinte themelet për ata që duhet të ndërtonin (duke aluduar për Bjordin).

"Moza po na fiton lojën!"

Bjordi ka thënë se deri tani i kishte parashikuar të gjitha daljet nga shtëpia, përveç kësaj të Liritës. Sipas tij, kjo do të thoshte se ai nuk po e ndiqte dot e nuk po e kuptonte më lojën. Ai e shihte si absurde daljen e Liritës, që sipas tij, ishte njeriu më i mirë brenda shtëpisë, përpara Mimozës, që kishte dy muaj që nuk bënte asgjë, e që arrinte të qëndronte vetëm sepse ishte e bukur. "Moza po na fiton lojën!" - i ka thënë ai Adit. "Jo, asnjëherë!" - i është përgjigjur ai.

"Kam frikë për Aidën!"

Dritani, Arjoni dhe Anjeza kanë diskutuar për banorët e nominuar për javën e ardhshme. Sipas Dritanit, do të ishte shumë e vështirë. "Bikës i ka rënë tullë!" - ka thënë Arjoni. Dritani ka thënë se besonte se Republika do të kishte mbështetjen e fshatit të vet. Ata kanë shprehur njëri pas tjetrit dyshimet dhe hamendjet për secilin nga të nominuarit. Arjoni, nga ana e tij, ka thënë se kësaj jave kishte frikë se mund të dilte Aida.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›