E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uji i jetës sonë

Ishin 12 - 13-vjeçarë, kur u ngritën në këmbë nga toka; ndonjë moment më vonë, ishin gati të niseshin sërish. Bari i ri, mbin aty ku nuk e pret... Kështu ishin ata: me sandale të prishura, me lotët e fshehtë, me pantallonat mbi gju e me flokët e prerë shkurt. Gjatë rrugës janë përballur me kureshtjen e të rriturve që i vërenin, të habitur që i shihnin nëpër rrugë, sikur të ishin një ngjarje e panjohur më parë: sheqer i hidhur, kuaj fluturues, vetëtima në shkretëtirë. Ato vështrime ushqenin drojën e tyre, rritin heshtjen në momentin që dëshiron të dish më shumë, ngrenë mure, kur i shtyn të kujtojnë më tej. Edhe për këtë, nxënësit e mi janë persona specialë.

Plaga e fshehur

E ardhmja na vjen përballë si një buall i çmendur. Ku do të fshihemi për t‘i shpëtuar përplasjes? Ja edhe pyetja e madhe që vërdalloset në "Qytetin e djemve". Secili mundohet të përgjigjet me mënyrën e vet. Agimi ka lindur në Durrës. Figurë e imët, shprehje dinake, shkruan diçka në dërrasë e megjithatë ai di gjithçka, nuk ka nevojë të shtosh më tej: çfarë do të bëjë kur të rritet?

Shumë herë na ndodh të "udhëtojmë" nëpër zanatet ku ai mund të tregojë vlerat e tij. Unë u propozoj një. Ai më thotë një tjetër. Na pëlqen të luajmë me të ardhmen duke e kompozuar në formën e një loje puzzle.

Shitës makinash: "Të shikoj Agim, ti me kostum, xhaketë e kravatë, duke bërë pazar për çmimin e një BMW-je të përdorur. Dhjetë mijë? Jo, nën dhjetë mijë nuk mund të zbres".

Qesh, qesh si një i çmendur fëmija i Adriatikut. Dhe ma kthen.

"Po, por unë mund të bëhem edhe gazetar".

"Dëshiron të bëhesh gazetar?".

"Ekzakt. Si ti".

"Shiko, se nuk është e thjeshtë. Duhet të mësosh të shkruash. Për shembull, a do të dije të më shkruaje 20 rreshta për veten tënde?"

"Vë bast?"

Niset me sirenat ndezur pas çdo gjëje që i kërkoj. Jeta është një sfidë. Një garë e pafundme.

"E nëse të propozoja të punoje në karburant? Mendo: Tutat blu. Super, diesel apo Premium?"

"E di ç‘të them?"

Dhe ja ku bëhet gati për përgjigjen e radhës.

"Roje nate".

"E përse? Si të erdhi në mendje?"

"Në hotele ka shumë gra të bukura, kupton?".

Dhe më shkel syrin.

"Unë dua të bëj një jetë të fortë, dua të mbroj dikë."

"Atëherë të rekomandoj diskotekat si truprojë".

"Zhigolo!", bërtet dhe zëri i përzihet me një lloj kompleksiteti. Ka parë një film të vjetër me Richard Gere dhe e kemi diskutuar. Pas disa batutave, më fikson, më fikson intensivisht, duke u shkëputur për pak, për të shijuar efektin që ka lënë tek unë. Kërkon të kuptojë se deri ku mund të mbërrijë. Nuk e kalon asnjëherë vijën e bardhë: ligjin e njerëzve të cilin të gjithë duhet ta respektojnë. Kompromisin social. Paktin juridik. Themelet e shtetit.

Është gjithnjë energjik: në buzëqeshjen e tij të zbuluar, e mbetur shenjë aty, ndizen reflektorët. Komunikojmë me gjeste gati të paperceptueshme: një ngritje shpatulle, një barsoletë... pa shumë diskutime, arrijmë të themi gjithçka. E kanë përjashtuar nga disa institute: ishte ekscentrik. Jashtë normës. E megjithatë, jam i sigurt se nëse do t‘i besoja një detyrë, çfarëdo qoftë ajo, do ta ndiqte me një kujdes skrupoloz.

"Dëgjo", më tha një herë duke më kapur nga krahu, "shqiptarët kur e thonë një gjë, e bëjnë. Për ne nderi është i rëndësishëm. Unë them të vërtetën".

Të kanë goditur Agim dhe ishe shumë i vogël për ta kuptuar, e ndiej vetëm, asnjë nuk të ka kuruar, u shërove vetë; plaga rrjedh gjak akoma, dhe ti nuk do ta tregosh, e mban të fshehur, mendon se nuk ke më asgjë për të humbur...

Janë këto sekondat tona të pafundme. Katër hapat e tij në delirin e rinisë. Aventurat e mia në të shkuarën që kthehet...

"Dua të të shpëtoj".

Mendon se nuk ka kuptuar. Shikon me dyshim.

"Thua të vërtetën?"

"E them seriozisht. Nëse do të gjej forcën e nevojshme..."

Më shikon mendueshëm.

"Nëse e bën këtë çfarë ndodh?"

"Do të bëhesha një mbret"

"Po ti?"

"Unë... unë do të jem një tjetër njeri".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›