E Shtunë, 31 Tetor 2026

Femrat guximtare të Afganistanit

Pas perçes së zezë që i fsheh fytyrën, zëri i Uahidës tingëllon i ëmbël dhe i qetë. "Detyra ime është të kujdesem për sigurinë. Dua që të gjithë të veshin kaska dhe këpucë, që askush të mos vritet". Ndërsa flet, përreth saj lëvizin qindra punëtorë, të gjithë meshkuj. Dikush që i kalon pranë, i hedh vështrime provokuese, ndërsa ajo bën sikur nuk i sheh.

Uahida është një emër i rremë. Nëna e re 25-vjeçare që flet duke u fshehur pas perçes, është njëra prej dy grave mes 850 punëtorëve që po ndërtojnë, me fonde amerikane, centralin e ri elektrik të Kabulit. Çdo ditë vjen në punë së bashku me të shoqin, Saidin. Nuk ka ditë që ajo të mos kërcënohet me vdekje. "Janë njerëzit me të cilët punoj. Natyrisht që janë edhe talebanë, por dikush këtu brenda i ndihmon", thotë Uahida. Ndërsa bisedon, i vjen një mesazh, Uahida e lexon dhe më pas tregon telefonin: "E shihni? Edhe tani, ndodhi e njëjta gjë. Thonë se do të më vrasin nëse vazhdoj të punoj, po nuk do të heq dorë. Afganistani i ri ka nevojë për gratë e tij dhe politikanët që flasin për dialog me talebanët, duhet ta kujtojnë këtë".

Forca dhe kuraja e femrave si Uahida janë dy prej vlerave që të bien në sy kur viziton Afganistanin: mesa duket, tashmë janë harruar deklaratat e vitit 2002, kur thuhej se gratë do të hiqnin perçet dhe do të merrnin në dorë drejtimin e vendit, ndërkohë që pjesa më e madhe e tyre jeton në kushte të mjerueshme. Në Kabul, pak femra guxojnë të dalin me fytyrë të zbuluar, një numër i vogël frekuentojnë shkollën dhe shumë pak të tjera punojnë. Por ka edhe përjashtime, si Uahida dhe kolegia e saj, ose si policet Malika e Dilbar, studentet Rubina, Parvin dhe Lida. Vajza të forta, që studiojnë, punojnë dhe shpresojnë në të ardhmen. Femra që sot kanë një motiv për të pasur frikë.

Në prag të zgjedhjeve, të cilat janë parashikuar në muajin gusht, Presidenti Hamid Karzai ka bërë marrëveshje disa javë më parë me talebanët. Deri më tani, propozimi është refuzuar, por shumë afganë frikësohen se, herët ose vonë, bisedimet do të hapen dhe se ish-studentët e fesë mund të shfaqen në skenë dhe në këtë pikë, të drejtat e grave mund të bëhen mall shkëmbimi i lojës politike, siç ndodhi në luginën pakistaneze të Suatit. Si pasojë, edhe ato pak hapa që femrat kanë bërë përpara, do të fshihen.

"Nuk do ta pranojmë kurrë. Nuk do të kthehemi pas", thotë Rubina. Vajza 18-vjeçare studion anglisht dhe informatikë në një nga shkollat më të mira të Kabulit. Ka qenë shumë e vështirë që Rubina të pranohej në këtë shkollë, por ashtu si shoqet e saj, ajo shpreson se studimi do të jetë një mundësi për të ardhmen: "Dua të bëhem mësuese, që t‘u jap dije fëmijëve. Unë nuk kisha mundësi të shkoja në shkollë për shkak të talebanëve. Për ne vajzat, ajo periudhë ishte e tmerrshme dhe nuk do të lejojmë që dikush të na kthejë prapa, madje as Presidenti", tregon ajo.

Në Kabul, është më e thjeshtë të flasësh. Kryeqyteti ka qenë gjithmonë vendi më tolerant i Afganistanit, madje edhe tani që gjërat nuk shkojnë dhe aq mirë, për femrat është vendi më i thjeshtë ku mund të jetohet. Kunduzi, në veri, është një histori tjetër: në këtë zonë, të dalësh nga shtëpia pa perçe, është një sfidë. Ndërsa të jesh pjesë e policisë, është një çnderim dhe çmenduri që mund të paguhet me jetën. Malika, 25 vjeçe, dhe Dilbar, 20 vjeçe, e dinë mirë se çdo të thotë kjo: mes 840 studentëve të qendrës së trajnimit për policët janë të vetmet femra. Edhe pse instruktorët afganë, gjermanë dhe amerikanë, nuk bëjnë dallime mes tyre dhe meshkujve, sapo largohen, sharjet dhe kërcënimet e kolegëve janë të shumta. "Thonë se një grua nuk duhet ta bëjë këtë", tregon Malika. "Por çfarë duhet të bëjë një grua që e ka braktisur burri dhe ka në shtëpi pesë fëmijë?".

Malika ka zgjedhur të sfidojë vërejtjet e rëndomta në emër të 100 dollarëve që fiton në muaj me punën si police. Është e vetëdijshme se puna nuk do të jetë e lehtë. Nga ato çka flitet nëpër rrugë, e di se ato që kanë qenë me talebanët do të marrin pushtetin në Kunduz, dhe për të, atëherë jeta do të bëhet një ferr. "Kam besim te qeveria, do të pranoj atë që do të bëjnë. Por nuk mund të besoj se do të sakrifikohen, jo sërish", thotë ajo para se të largohet.

Është më mirë që Malika të mos e marrë vesh, por fjalët e saj nuk ndryshojnë shumë nga ato të vajzave të Luginës së Suatit që flisnin për shtypin ndërkombëtar një javë më parë. Qeveria e Zardarit vendosi të hiqte dorë nga talebanët dhe lejoi futjen e Sharias në këmbim të një tregtie. E kështu gratë e humbën zërin e tyre.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›