E Shtunë, 31 Tetor 2026

"E kuqe si një nuse" në Torino

Në bibliotekën "Italo Calvino", në Lungo Dora Agrigento 94 në Torino do të prezantohet romani "Rosso come una sposa" (E kuqja si nuse), i autores shqiptare Anilda Ibrahimi, një ndër librat bestseller më të suksesshëm dhe më të shitur gjatë vitit 2008 në Itali. Anilda Ibrahimi ka lindur në Vlorë në vitin 1972. Ajo ka frekuentuar Fakultetin e Letërsisë në Universitetin e Tiranës dhe më pas, në vitin 1993, është larguar nga Shqipëria për t‘u vendosur fillimisht në Zvicër dhe pastaj në Itali, ku jeton edhe sot bashkë me familjen. Romani i saj i parë, "Rosso come una sposa", i shkruar në italisht, është një nga librat më të suksesshëm të botuar në Itali në 2008-ën. E pritur mirë si nga publiku ashtu edhe nga kritika, sprova e shkrimtares shqiptare, e hedhur në treg nga shtëpia botuese prestigjioze "Einaudi", ende nuk është përkthyer në gjuhën shqipe. "Rosso comme una sposa" përfshin ngjarje epike, që u përkasin grave të katër brezave në atmosferën e Shqipërisë rurale. Në sfond janë histori që prej Luftës së Dytë Botërore e deri në ditët e sotme, ndërsa në plan të parë mbeten përjetimet private, tragjike dhe komike. Shqipëria në "Rosso come una sposa" është një vend ku kundërshtitë prej kohësh bashkëjetojnë: krishterimi e islami, zakonet e Bizantit me doket otomane. Dhe mbi të gjitha, ekziston një shoqëri në thelb patriarkale, ku pushtetin e kishin burrat, por edhe vjehrrat. Prezantimi i librit bëhet në kuadër të projektit "Via Egnatia - Passaggio a Est". I ideuar dhe realizuar nga shoqata "Vatra", projekti parashikon krijimin e seksioneve me libra në gjuhën shqipe në të katërmbëdhjetë bibliotekat e qytetit të Torinos.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›