Një rrëfim për "Qytetin e djemve"
Nga vjen? Përse je këtu? Si është bota jote? A do të më marrësh me vete? Le të shkojmë së bashku atje, në atë vend të largët... Dhe kështu nis një udhëtim në Shqipëri, dhe kështu nis edhe një tjetër në Marok... Kështu lind edhe një udhëtim me një destiancion të vetëm. Ata janë nisur nga Shqipëria, Afganistani, Kabuli, Rumania e një Zot e di se nga, drejt Italisë... Janë djem të rinj, rreth 14-18 vjeçarë, e ai mësuesi i historisë dhe i gjuhës italiane i ndjek pas ngaherë. Por nuk është vetëm mësues, është edhe gazetar, e mbi të gjitha është shkrimtar. Eraldo Affinati, i do vërtet këta djem që Italinë e shikojnë si një ëndërr të përmbushur për të cilën ia ka vlejtur çdo sakrificë, e peripeci.
"Para portës një zë më thërret: ‘Profesor!‘". Është Petriti... që në të vërtetë quhet Hermal. Djaloshi nga Vlora është personazh real i "Qytetit të djemve" ("La citta dei ragazzi"), ashtu siç është edhe Agimi, Omari, Aliu, Muhamedi, Fransiko, Ivani apo Hafizi... Shkrimtari, gazetari dhe profesori i historisë dhe gjuhës italiane, Eraldo Affinati, pak ditë më parë ishte për një vizitë në Shqipëri, në Tiranë dhe në Vlorë. E shoqëronte Hermali. 22-vjeçari ka vendosur t‘i tregojë atij familjen, miqtë, vendin ku u rrit, e mbi të gjitha dëshiron t‘i shpjegojë arsyet e largimit drejt Italisë... T‘i tregojë se si një 14-vjeçar i hipën tragetit i vetëm, duke u shtirur si fëmija i një çifti të rastësishëm në traget dhe si ka shkuar jeta e tij endacake deri në çastin kur filloi shkollën pikërisht atje, në "Qytetin e djemve".
Pasi i ka njohur nga afër, pasi ka jetuar me ta, pasi ka gjetur veten, sepse ai, njësoj si edhe ata kohë pas kohe kërkon të gjejnë gjurmët e origjinës, u ka kushtuar një libër. "La Citta dei Ragazzi" ("Qyteti i djemve"), (Mondadori, 2008) kërkon të zbulojë burimin, arsyet e largimit të këtyre fëmijëve nga familjet, nga vendi i tyre. Është një roman që shkon në tri linja narrative: e para sjell në vëmendje eksperiencën didaktike të profesorit në "Qytetin e djemve"; e dyta është ditari i një udhëtimi emocionues ku autori ka shoqëruar dy prej nxënësve të tij, në vendin e tyre, në Marok dhe e treta është si çelja e një arkivi personal. Autori nis të shprehet kundrejt të atit, jetim edhe ai, njësoj si nxënësit e tij. "Qyteti i djemve" është cilësuar si një roman që shkon përtej një eksperience biografike të autorit vetë. Ai është vlerësuar me çmimin e kritikës Vico del Gargano në vitin 2008.
Z. Affinati, ndodheni në Tiranë për të shkëmbyer eksperiencën tuaj me studentët shqiptarë. Si ishte kjo eksperiencë për ju?
Takimi me studentët në Tiranë ishte shumë i bukur për mua. Ata kishin marrë pjesë në një konkurs ku u duhej të përfundonin disa nga tregimet e mia. Kam lexuar këto funde tregimesh të realizuara prej tyre, e më pas ata më kanë bërë shumë pyetje në lidhje me mënyrën time të të shkruarit dhe mbi të gjitha ishin shumë të interesuar sidomos për librin tim më të ri, "La citta dei ragazzi", "Qyteti i djemve". U tregova se si e kam shkruar këtë libër që është një eksperiencë autobiografike. Unë jap mësim në këtë komunitet që është "Qyteti i djemve", një komunitet që u themelua pas fundit të Luftës së Dytë Botërore, nga një prift irlandez, i cili dëshironte të ndërtonte një qytet i cili në të njëjtën kohë edhe të qeverisej prej të rinjve, të kishte një kryetar bashkie, monedhën lokale, bankën e gjithçka. Një herë e një kohë të gjithë këta të rinj ishin italianë, sot janë gati të gjithë të huaj. Ata vijnë nga e gjithë bota janë nga 14 deri në 18 vjeç. Aty unë jap mësim histori dhe gjuhë italiane.
Ju vetë nga se niseni kur shkruani?
Gati të gjithë librat e mi lindin prej një udhëtimi e sigurisht prej një eksperience reale. Kjo sepse unë mendoj se e shkruara për mua është stacioni i fundit i këtij udhëtimi. Unë fillimisht bëj një udhëtim e më vonë arrij të përmbledh të gjitha emocionet e sa kam përjetuar gjatë udhëtimit duke i derdhur në të shkruar në atë që për mua është momenti i verifikimit. Po të mos ishte e shkruara unë nuk do ta kisha kuptuar kuptimin e jetës, duke shkruar unë kuptoj se çfarë kam bërë. Që i vogël e kam pasur këtë zakon e kështu besoja se do të bëhesha shkrimtar për këtë.
Një libër i imi i njohur, i përkthyer në gjuhën gjermane e franceze i titulluar "Campo del sangue" ("Fusha e gjakut"),ka lindur nga një udhëtim i imi në Aushvic. Unë kam pasur një gjysh partizan i cili u pushkatua nga nazistët dhe mamaja ime arriti t‘ia mbathte nga një tren i cili do ta çonte drejt Gjermanisë naziste. Në vitin 1995 unë bëra një udhëtim në Ashuvic prej të cilit lindi edhe "Campo del sangue" një roman shumë i rëndësishëm i imi. E ndërsa ky roman rrëfen historinë e nënës sime te "Qyteti i djemve" rrëfej në thelb historinë e babait tim. Unë nisem shpesh nga eksperienca konkrete, të cilat gjatë procesit të të shkruarit marrin formë dhe konkretizohen.
Ju e prekët pak, por çfarë është ky libër që ju e keni titulluar "Qyteti i djemve"?
Është një rrëfim... përshkruaj historinë e udhëtimit tim në Marok për të shoqëruar dy prej djemve, Omarin dhe Farisin. Gjatë pushimeve verore, ata shkojnë për një vizitë në vendin nga vijnë. Gjatë këtij udhëtimi, flas në të njëjtën kohë edhe me babanë tim i cili ishte gjithashtu jetim. Ai asnjëherë nuk e njohu babanë e tij, ndërsa pa nënën duke vdekur kur ishte vetëm 12 vjeç. Kështu nëpërmjet mësimdhënies me jetimët e sotëm, është njësoj sikur të flas idealisht edhe me tim atë, sepse ai ishte në të njëjtat kushte në të cilat ndodhen sot këta të rinj që vijnë në Itali pa pasur një pikë referimi.
Thatë se jepni mësim gjuhën italiane. Por gjatë leximit të librit vihet re se ata kanë vështirësi në komunikim. Si ia keni dalë të kuptoheni pa ndërlikime me ta?
Unë kam dashur të rrëfej historinë e këtyre djemve. Kush janë këta djem që vijnë nga e gjithë bota? Gjen aty të ardhur nga Afgani, Kabuli, Nigeria... Secili prej tyre rrëfen historinë e jetës dhe e bën në gjuhën italiane, në një gjuhë që për ta, është ende në ndërtim. Ajo vjen e racionuar, me vështirësi, por në fund të gjithë kuptojmë çfarë ata kanë dashur të transmetojnë.
Gjuha e folur është një vështirësi, por një tjetër pengesë është edhe fakti se djemtë, vijnë nga kultura e mentalitete të ndryshme. Ju i keni qëndruar afër duke tentuar të jepni shembullin e një njeriu të rritur, të një vëllai të madh që iu qëndron pranë. Si ia keni dalë?
Që të arrish të kuptosh këta të rinj, të cilët vijnë nga kultura të ndryshme, fillimisht duhet të fitosh besimin e tyre. Nuk duhet të jesh vetëm një profesor, por duhet të jesh edhe mik. Duhet të mundohesh të kuptosh se nga vijnë ata, e vetëm në këtë mënyrë mund të arrish që t‘i bësh për vete dhe të bësh të mundur që ata të tregojnë për historinë e tyre. Janë histori të vështira, të ashpra, e ndonjëherë edhe tragjike. Ka nga ata të rinj që vijnë nga luftëra, kanë parë duke vdekur prindërit dhe atëherë është e nevojshme që ti të krijosh për ta figurën e një të rrituri të besueshëm. Nëse ia arrin, ky raport bëhet i bukur, por duhet ta fitosh këtë besim.
Mes tyre ju keni njohur edhe djem që vijnë nga Shqipëria. Si i kujtoni ata?
Kur nisa të jap mësim në "Qytetin e djemve", kishte shumë të rinj shqiptarë, tani ka më pak. Më kujtohen disa prej tyre, Hermali, Erindi, Rezarti. Me ta jam edhe më i lidhur, sepse pikërisht falë tyre u njoha me komunitetin e "Qytetit të djemve", nisa të njoh edhe Shqipërinë parë nga sytë e tyre. Por si ishin këta sy? Ishin sy fëmijësh që praktikisht ishin arratisur nga Shqipëria në moshën 12 apo 13-vjeçare. Më kishte goditur fakti që këta fëmijë të vegjël kishin hedhur të tillë hapa. Atëherë i pyesja: "Po si ia keni dalë që keni kaluar Adriatikun?". Dhe mbaj mend që Hermali më është përgjigjur: "Kam bërë sikur isha fëmija i një çifti që nisej për në Itali dhe kështu hyra në traget. E më pas nga Bari me disa miq erdhëm në Romë". "E më pas në Romë çfarë ndodhi?". Dhe ata më tregonin pak e nga pak jetën e tyre, historinë e tyre, sepse natyrisht isha i interesuar të dija. I shikoja që ata ishin djem të përballur me eksperienca të vështira, por që ishin plot jetë, energji, dëshirë për t‘u rritur. E atëherë ndieja se si profesor duhet të bëja diçka për ta. Duhej jo vetëm t‘u mësoja italishten, por t‘u mësoja në të njëjtën kohë edhe një mënyrë të qeni, të isha një udhërrëfyes dhe kjo më mbushte plot pasion. Për mua kjo marrëdhënie njerëzore që kam pasur me këta djem ka qenë një eksperiencë e madhe.
I ruani ende marrëdhëniet, jo vetëm me djemtë e Shqipërisë, por edhe me ata që vijnë prej vendeve të tjera?
Kam ende raporte me djemtë, edhe pse disa janë larguar nga "Qyteti i djemve" dhe kanë krijuar jetët e tyre. Ja, unë jam në Shqipëri prej Hermalit, i cili tashmë ka nisur një jetë të re. Ai donte që unë të isha këtu, të më prezantonte familjen e tij e në këtë mënyrë të kuptoja edhe arsyet që e kanë shtyrë të vijë në Itali. Në Itali shikoj vetëm shtratin e një lumi, ujin kur rrjedh në det, por në të vërtetë dua të njoh edhe burimin, ndaj edhe nuk i kundërshtoj të tilla vizita. Por kjo është edhe puna ime si shkrimtar, të njoh dhe të prek me duart e mia gjithçka.
Gjatë leximit të librit kuptohet se ashtu si edhe djemtë, edhe ju personalisht jeni në kërkim të origjinës. Pse është kaq e nevojshme, çfarë ju shtyn drejt saj?
Momenti i origjinës për mua është si rrënjët e një bime. Ti shkon të shikosh se çfarë ka pas teje, për të kuptuar se kush je. E në këtë kërkim kam kuptuar se rrënjët e një njeriu nuk janë të vetme, ato gërshetohen me të tjerët, e kur ti prek pjesën tënde të rrënjës, është njësoj sikur të vibronte e gjithë bima. Ndaj del nga vetmia jote si shkrimtar dhe kupton se je i lidhur me të tjerët, ashtu si çdo njeri tjetër. Mjafton të kthehesh mbrapa në historinë e prindërve dhe të gjyshërve të tu e ti kupton se ka një mekanizëm që i bashkon të gjitha këto histori dhe si shkrimtar të duhet t‘u japësh zë atyre, të flasësh, ose të shkruash në emër të atyre që nuk kanë mundur ta bëjnë. Për shembull, im atë nuk arriti të gjente fjalët për të më rrëfyer historinë e tij, kështu që më është dashur të kujdesem për këtë plagë që ai ka lënë pas. Kjo është edhe detyra e letërsisë, të paktën ashtu si unë e kuptoj atë.
Jeni shkrimtar, gazetar e mësues. Ku ndiheni më mirë dhe pse?
Ndihem mirë te të tria këto profesione, sepse ato bashkohen nga përgjegjësia kundrejt fjalës, si mësuesi, ashtu edhe gazetari e shkrimtari janë përgjegjësit e fjalës. Mësuesi e di që ajo çfarë thotë do të ngulitet në mendjen e adoleshentit që ka përballë, edhe shkrimtari e di këtë e gazetari duhet të jetë i kujdesshëm kur jep një lajm, sepse ai mund të influencojë opinionin publik. Sigurisht që dimensioni im i vërtetë është e shkruara. Pikërisht aty ku unë ndiej se jam me të vërtetë vetja, por më duhet të them se edhe kur jam në klasë e ndiej që jam duke bërë diçka që korrespondon me vokacionin tim.
Ka qenë e vështirë për ju të bëheshit shkrimtar?
Vij nga një familje që nuk ka qenë e dhënë pas letërsisë. Në shtëpinë time nuk kishte libra e formimi im në këtë prizëm ka qenë disi i vështirë. Më është dashur të kaloj një periudhë të gjatë vetmie, në të cilën praktikisht jam përballur me libra që i lexoja pareshtur, fillimisht duke pasur në vëmendje ata që ishin më të rëndësishmit e letërsisë botërore, e më pas duke u fokusuar te të tjerët. Për mua letërsia ruse ka qenë shumë e rëndësishme dhe libri im i parë ka qenë për Tolstojin. Që fëmijë e ndieja se kam qenë më shumë një njeri i shprehjes se sa një njeri i veprimit dhe kjo më ka ndjekur ngaherë në formimin tim si shkrimtar.
Keni qenë më parë në Shqipëri, apo Hermali bëri të mundur që të kalonit përtej Adriatikut?
Kam qenë në Shqipëri në vitet ‘97, ‘01, e kjo është hera e tretë që gjendem këtu. Në ‘97-ën erdha si gazetar për një shkrim për të përjavshmen e madhe italiane "Panorama". Më kujtohet se pashë një Shqipëri që ishte në transformim të plotë e në ndërtim. Gjendesha përballë një vendi që po ngrihej prej fillimit, sepse situata ishte shumë e vështirë. Ishte si një vend adoleshent për mua, si një vend që ishte 14-15 vjeç dhe në fund të fundit e ndieja si të ishte vendi im, sepse i kam dhënë mësim pikërisht kësaj moshe e për këtë arsye jam mësuar të flas me këtë dimension të jetës që është në rritje, ndaj m‘u duk se Shqipëria ishte në atë fazë.
Së fundmi, z. Affinati, cilat janë projektet e ardhshme? A keni në proces ndonjë libër të ri?
Jam duke shkruar një libër për letërsinë italiane, e cila është shkruar bazuar nga vende të ndryshme, mes tyre është edhe Shqipëria. Shkrimtari Mario Rigoni Stern ka shkruar një libër të titulluar "Quota Albania", në të cilin tregon historinë e alpinëve italianë gjatë luftës italo-greke në Shqipëri. Kështu ai ka treguar për Tiranën, Korçën dhe dua që me sytë e këtij ushtari italian të flas për Shqipërinë. Të dhënat e përdorura prej tij do të jenë pjesë e librit tim më të ri.