E Diel, 1 Nëntor 2026

Sherr në autobus, i pret fytin në sy të fëmijëve

 Etleva DeliaNjë 37-vjeçar, babai i dy fëmijëve, gjeti vdekjen dje rrugës për në spital, pas një goditje me thikë në qafë nga fqinji i tij. Ngjarja ndodhi rreth orës 16:30, në autobusin e linjës Tiranë-Ndroq pranë Urës së Shkollës Teknologjike në kryeqytet. Arben Goga, 37 vjeç është qëlluar për vdekje me thikë nga i dyshuari Nezir Malliku, i cili sipas policisë ishte në gjendje të dehur. Viktima dhe autori ishin komshinj mes tyre në Ndroq. Sipas burimeve nga policia ngjarja ka ndodhur pas një debati në autobus mes viktimës dhe të dyshuarit, të cilët kanë nisur të shtyhen me njëri-tjetrin. Sipas dëshmive që dhanë pasagjerët e tjerë në polici, i dyshuari Malliku në gjendje të dehur e ka shtyrë viktimën, i cili ndodhej bashkë me gruan dhe dy fëmijët duke shkuar për në Ndroq. Pas debatit të parë 42-vjeçari Nezir Malliku i ka kërkuar viktimës që t’i lironte një vend për t’u ulur. Pak çaste më pas i dyshuari ka nxjerrë thikën nga xhepi i xhaketës dhe e ka qëlluar viktimën në pjesën e qafës në sy të fëmijëve dhe të bashkëshortes. Sipas dëshmive pasi është goditur me thikë, Arben Goga ka kërkuar ndihmë duke i thënë shoferit të autobusit që të ndalonte. Në këtë kohë, autori i dyshuar i ngjarjes ka arritur të zbresë nga autobusi dhe është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Viktima i plagosur rëndë, sapo ka zbritur nga autobusi ka rënë pa ndjenja në trotuar. Në këtë kohë, një nga pasagjerët ka lajmëruar policinë dhe ambulancën. Policia tha se Arben Goga ndërroi jetë gjatë rrugës duke u transportuar me ambulancë për në Spitalin Ushtarak. Goditja me thikë i kishte prekur arterien kryesore në qafë çka është bërë shkak që viktima të humbasë sasi të madhe gjaku brenda pak minutave. Efektivat e policisë të Komisariatit nr.2, si dhe oficerë të Seksionit të Krimeve Kundër Jetës dhe Shëndetit kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, duke bërë bllokimin e autobusit për të fiksuar shenjat e krimit. Të gjithë pasagjerët që ndodheshin në mjet në momentin e vrasjes, janë shoqëruar për të dhënë deklarime në polici. Kapet autoriI dyshuari si autor i ngjarjes, Nezir Malliku, pak sekonda pasi goditi me thikë fqinjin e tij, u largua me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Arratisja megjithatë zgjati më pak se një orë pasi policia filloi kërkimet dhe arrestoi të dyshuarin. Përgjatë një ore i dyshuari Nezir Malliku ka arritur të lëvizë në këmbë përgjatë rrugës së Kavajës deri në afërsi të kodrave të Ndroqit, ku ka tentuar t’i fshihet policisë. Drejtoria e Policisë së Tiranës tha se ka nisur operacionin, në të cilin u angazhuan rreth 150 efektiva policie, për të bërë të mundur arrestimin e të dyshuarit si autor i ngjarjes. Policia tha se rreth orës 17:30, u lokalizua i dyshuari, i cili u arrestua menjëherë në flagrancë ndërsa policia bllokoi edhe armën e krimit. Burime nga grupi hetimor sqaruan se deri mbrëmë në orët e vona i dyshuari ka dhënë deklarime kontradiktore mbi ngjarjen. I arrestuari ka pohuar se ka pasur sherr me viktimën në autobus, por thotë se nuk mban mend të ketë qëlluar me thikë. Dëshmitë e dhjetëra pasagjerëve, me të cilët i arrestuari u ballafaqua në polici, e fajësojnë atë për vrasjen e pasagjerit 37-vjeçar në autobusin e linjës Tiranë-Ndroq.OPERACIONIVeprimi në kohë i policisë së Tiranës bëri të mundur identifikimin e autorit të ngjarjes brenda një ore, gjatë një operacioni ku morën pjesë 150 forca policie e bënë të mundur arrestimin i tij në tentativë për t’u arratisur në kodrat e Ndroqit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›