E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zyrtarët e tenderit të uniformave, ankim në Apel për masat e arrestit

 TIRANE – Gjykata e Apelit e kryeqytetit do të shqyrtojë më datë 20 janar masat e sigurimit për gjashtë zyrtarët dhe biznesmenët e arrestuar për tenderin e uniformave në Ministrinë e Brendshme. Apeli publikoi dje listën me emrat të akuzuarve, zyrtarë dhe biznesmenë, të cilët dyshohet se janë përfshirë në një aferë korruptive që shkon në 125 mijë euro, për një tender me 14 lote dhe vlerë të përgjithshme 170 milionë lekë të reja. Një muaj më parë, policia organizoi operacionin e koduar “Prokurimi i fundit”, duke vënë në pranga 39 vjeçarin Bujar Murati, lindur në Dibër dhe banues në Tiranë, me arsim të lartë, me detyrë Drejtor i Përgjithshëm i Zhvillimit të Procedurave të Përqendruara të Prokurimit pranë Ministrisë së Brendshme; Redi Popescu, 31 vjeç, lindur në Elbasan dhe banues në Tiranë, me detyrë specialist në Ministrinë e Integrimit; Tahir Imami, 49 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, me arsim të lartë, Shef i Programimit të Prokurimeve në Gardën e Republikës; Jani Gjergjefi, 49 vjeç, lindur në Korçë dhe banues në Tiranë, pronar i kompanisë “Gjergjefi”; Artan Berberi, 43 vjeç, lindur në Korçë dhe banues në Tiranë, me arsim të lartë, pronar i kompanisë “Malbertex”, masa e sigurisë për të cilin u zbut pas 10 ditësh; Gjithashtu Agur Sadiku, 47 vjeç, lindur dhe banues në Berat, pronar i Kompanisë “Sadiku”, iu komunikua masa “arrest shtëpie”. Burime nga Apeli pohojnë se gjashtë të pandehurit u ankuan në këtë institucion duke pretenduar se akuzoheshin pa prova.                  fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›