Administrata, 8 për qind me kontrata të përkohshme

Komisioni i Ligjeve
Opozita kritikon rekrutimin e zyrtarëve. Përgjigjet kreu i DAP.
Rreth 8 për qind e punonjësve në administratë vazhdojnë të jenë me kontrata të përkohshme. Shifrën e bëri të ditur dje drejtoresha e DAP-it, Blerta Selenica, gjatë raportit vjetor në Komisionin e Ligjeve. Në institucionet që mbulon Departamenti janë rreth 1500 punonjës me status të shërbimit civil, çka do të thotë se me kontrata të përkohshme janë 120 punonjës. Deputetët e opozitës kritikuan DAP-in lidhur me mënyrën e rekrutimit të punonjësve mbi baza klienteliste dhe politike. Çfarë keni bërë lidhur me rekomandimet e BE për administratën publike, duke pasur parasysh faktin që raporti thekson se niveli i administratës publike lë shumë për të dëshiruar, ka emërime jashtë kritereve, emërime klienteliste, nepotike dhe me natyrë partiake? Ka shumë ish-punonjës të administratës që i kanë fituar gjyqet. Sa janë këto raste dhe çfarë qëndrimi keni mbajtur?, pyeti Xhafaj gjatë seancës së djeshme. Nga ana e saj, duke iu referuar shifrave, Selenica tha se sa i përket numrit të kontratave, jemi duke punuar për reduktimin e tyre. Aktualisht kemi 8 për qind të pozicioneve të shërbimit civil, referuar ministrive të linjës dhe Këshillit të Ministrave, ku gjithsej janë 1500 nëpunës civilë. Për këta është duke u zhvilluar paralelisht procedura e rekrutimit. Në 2004-n ka qenë mbi 8%. Për vendimet gjyqësore ka filluar zbatimi i pjesshëm i tyre. Drejtoresha tha gjithashtu se vazhdon të jetë problem ngritja në detyrë dhe lëvizja paralele, duke thënë se për këtë janë vetë punonjësit shkaktarë. Gjatë mbledhjes, deputetët e PS-së ironizuan edhe marrëveshjen PD- LSI lidhur me ndarjen e posteve në administratë. Në dijeninë time, PD me LSI ka një ndarje në administratë 80% me 20%. Si zbatohet kjo në shërbimin civil?, pyeti Ligori. Por, përgjigjen për këtë pyetje e dha kreu i Komisionit, Ilir Rusmali, i cili tha se funksionet politike aleatët në koalicion i ndajnë sipas marrëveshjes.
Debati në Komision
Shega Ligori: Sa janë vendimet gjyqësore të paekzekutuara? Unë e di që janë shumë. Si janë krijuar pozicionet e lira, pse ka pozicione të lira? Sa është numri i punonjësve me kontrata? Sa punonjës janë në lista pritje?
Blerta Selenica: Sa i përket numrit të kontratave, jemi duke punuar për reduktimin e tyre. Aktualisht kemi 8 për qind të pozicioneve të shërbimit civil, referuar ministrive të linjës dhe Këshillit të Ministrave, ku gjithsej janë 1500 nëpunës civilë. Për këta është duke u zhvilluar paralelisht procedura e rekrutimit. Në 2004-n ka qenë mbi 8%. Për vendimet gjyqësore ka filluar zbatimi i pjesshëm i tyre. Janë 35 vendime të tilla që janë të formës së prerë. Vendime në proces janë 70. Sa i përket listës së pritjes, kanë qenë 21 punonjës në 2011. Pozicionet e lira janë krijuar ose nga largimi i nëpunësve për shkak të përmbushjes së pensionit, ose me dorëheqje për tu sistemuar në pozicione të tjera që sjanë pjesë e shërbimit civil, ose krijimi i drejtorive të reja.
Bashkim Fino: A ka pasur raste që është anashkaluar profesionalizmi? A ka dominuar rekrutimi i punonjësve bazuar në kontributin e dhënë në fushata elektorale? Në raport vihet re se numri i lëvizjeve paralele, emërimet nga listat në pritje, ngritja në detyrë dhe zbatimi i vendimeve gjyqësore është inekzistent, katër për të parat dhe 3 për të dytat. Cilat janë arsyet që ekzistojnë këto shifra krahasuar me numrin e emërimeve gjatë vitit 2011, që janë 327?
Blerta Selenica: Sa u përket emërimeve për lëvizjet paralele dhe ngritjet në detyrë, ky është një shqetësim dhe për ne që përdoren shumë pak nga punonjësit. Ne smund të themi që janë anashkaluar këto elemente të karrierës nga institucioni ynë. Kjo ka të bëjë edhe me një lloj hezitimi që kanë punonjësit për të kryer këto procedura, sepse sipas ligjit, me kryerjen e procedurave futen në një periudhë prove të re dhe nuk janë të sigurt nëse do ta kalojnë apo jo.
Shega Ligori: Në dijeninë time, PD me LSI ka një ndarje në administratë 80% me 20%. Si zbatohet kjo në shërbimin civil?
Ilir Rusmali: Funksionet politike, aleatët në koalicion i ndajnë sipas marrëveshjes.
Fatmir Xhafaj: Edhe unë jam kundër Shegës, nuk ndodh kjo. Vetëm rojet ndahen, po qe ministri, nga roja deri te ministri.
ADI SHKEMBI