Tahiri: Të rrëzohet padia e Shkëlzenit e Argitës

Deputeti Tahiri në Gjykatën e Tiranës
TIRANE Deputeti i Partisë Socialiste, Sajmir Tahiri, i kërkoi dje Gjykatës së Tiranës rrëzimin e padisë civile të fëmijëve të Kryeministrit Sali Berisha kundër tij. Në konkluzionet e tij përfundimtare, Tahiri pretendoi se kërkesa e Argita Malltezit dhe Shkëlzen Berishës për 8 milionë lekë dëmshpërblim është e pambështetur në ligj dhe në prova. Të pranishëm në seancën e djeshme ishin deputetë të Partisë Socialiste, si edhe një përfaqësues i Ambasadës Amerikane. Sipas Tahirit, deklaratat e tij në programin Zonë e Lirë janë sjellë të shkëputura para Gjykatës së Tiranës, duke i nxjerrë nga konteksti në të cilin janë thënë. Deputeti tha se deklaratat janë opinione vlerësuese të tij. Qëllimi i thënieve të mia nuk ka qenë fyerja e paditësve, por denoncimi publik, që është detyrë e dhënë nga populli, tha Tahiri. Duke iu referuar burimeve të treta, kryesisht publikimeve në media, Tahiri tha se unë kam krijuar perceptimin se paditësit janë të përfshirë në veprimtari të jashtëligjshme. Vendimi përfundimtar në lidhje me padinë kundër deputetit Tahiri do të shpallet më 25 qershor. ar.ba