Vasili: Ky institucion tashmë prodhon shëndet
90 vjet Qendër Spitalore Universitare “Nënë Tereza” janë përkujtuar dje. E hapur fillimisht në vitin 1920, me një spital të vogël, i cili ndodhej në krah të Bashkisë së Tiranës, dhe më pas me një godinë të vërtetë në vitin 1932, pikërisht ku ndodhet drejtoria e këtij institucioni në ditët e sotme. Të pranishëm në këtë aktivitet ka qenë ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, si dhe drejtori i QSUT-se, Saimir Ivziku. Gjatë fjalës së tij, kreu i shëndetësisë e ka cilësuar këtë institucion si më të rëndësishmin në vend, por edhe në rajon, duke e cilësuar si një prodhues të shëndetit. “QSUT mbetet një nga institucionet më të rëndësishme në vend, i cili nuk e ka ndalur kurrë ritmin e të ecurit përpara. Falë vullneteve dhe aftësive të stafit në këtë institucion, janë realizuar edhe ndërhyrjet të cilat kanë qenë të pamundura, por më pas janë kthyer në realitete dhe në shërbim për pacientët. Në këtë spital është prodhuar shëndet”, - ka pohuar ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili. Sipas tij, duhet të vlerësohen me mijëra persona të cilët kanë dhënë ndihmën e tyre për të arritur deri në këtë moment kur e gjithë popullata gjen shërbim të specializuar dhe mjekë të kualifikuar. Ndërkohë që drejtori i QSUT-së, Saimir Ivziku, ka pohuar se ky institucion në të ardhmen do të jetë në krah të pacientit duke i ofruar të gjitha shërbimet e nevojshme. “Dua të falënderoj të gjithë ata që kanë kontribuar në sukseset e këtij institucioni. Po kështu dua të garantoj se unë do të jem pranë çdo mjeku të QSUT-së, për të zgjidhur të papriturat në punë, si dhe në krah të çdo pacienti i cili vjen për tu kuruar tek ne. Kjo edhe me investimet që po kryhen në këtë qendër, duke i ofruar pacientit aparatura të fjalës së fundit”, - ka nën vizuar Ivziku. Gjatë prezantimit të 90 viteve histori të spitalit të Tiranës kanë marrë pjesë mjekë dhe profesorët dalë në pension, të cilët kanë punuar vite e vite me radhë në këtë institucion.