Drejt hapjes së doktoraturës për studimet albanologjike
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, z. Myqerem Tafaj, priti dje në një takim një grup akademikësh e studiuesish nga Shqipëria, Kosova e të huaj. Në takim me ministrin Tafaj ishin kryetari i Akademisë së Shkencave të Kosovës, Besim Bokshi; Rexhep Ismajli, ish-kryetar i Akademisë së Shkencave të Kosovës; Vilfrid Fidler, albanolog gjerman i asociuar; Ardian Marashi, drejtor i Qendrës Albanologjike Shqiptare; Bahri Beci, akademik shqiptar dhe Kolec Topalli, gjuhëtar dhe zv.ministri Halit Shamata.
Ministri Tafaj theksoi në takimin me akademikët dhe studiuesit: “Qendra e Studimeve Albanologjike tashmë po shfaq misionin e vet. Ajo është angazhuar në dy projekte të mëdha, të cilat janë projekte që qeveria shqiptare i mbështet me përparësi. Projekti i gjuhës ose i studimeve në fushën e gjuhës dhe projekti tjetër, i studimeve në fushën e historisë së shqiptarëve. Sigurisht që ne mbështesim të gjitha projektet e tjera të Qendrës së Studimeve Albanologjike, por projektet e përmendura janë kryesore dhe financimi është i orientuar më së pari për dy projektet madhore". “Një nga sukseset më të rëndësishme të kësaj Qendre - deklaroi ministri Tafaj - është se ajo po jep ndihmesën e saj të drejtpërdrejtë në formimin e shkencëtarëve të rinj në fushat e albanologjisë. Ne kemi nevojë shumë të madhe për shkencëtarë të rinj në gjuhësi, në histori, në trashëgimi kulturore, në letërsi”. Tafaj bëri të ditur për akademikët në takim se është biseduar me ministrin e Arsimit të Kosovës, janë shqyrtuar projekte dhe është rënë dakord, që të dyja qeveritë të jenë bashkëfinancuese të projekteve të mëdha.