Nenshkodra ende e gjunjezuar nen uje
Fusha e Nënshkodrës vazhdon të jetë në kushtet e emergjencës për shkak të prezencës së ujit. Rreth 8 mijë hektarë tokë vazhdojnë të jenë të zhytura nën ujë dhe mbi 2 mijë persona qëndrojnë ende të evakuuar nga zona e Nënshkodrës, kryesisht nga Komuna e Dajçit, Ana e Malit dhe Velipojës. Këto shifra flasin qartë se përmbytja ende nuk ka mbaruar punë me Nënshkodrën, madje nga banorët e Darragjatit në Komunën e Dajçit, raportohet se gjatë mbrëmjes së të shtunës, ka pasur rritje të ndjeshme të nivelit të ujit për shkak të shtimit të nivelit të shkarkimeve nga hidrocentralet. Situata u pranua edhe nga ministri Basha një natë më parë, i cili pohoi se prurjet janë rritur për shkak të rinisjes së reshjeve të shiut. Zona tjetër problematike në Nënshkodër mbetet fshati Obot, i cili ndahet nga Komuna e Dajçit, nga rrjedha e Bunës. Për banorët, e vetmja mënyrë komunikimi vazhdojnë të mbeten varkat. Gjithashtu prezencë të lartë uji kanë dhe shumë banesa dhe qindra hektarë tokë në fshatin Trush, të Komunës së Bërdicës. Ndërsa në aksin rrugor nacional Shkodër-Velipojë, rruga është e pakalueshme pasi prezenca e ujit, tek ura e Gjo Lulit arrin deri në 80 centimetra. Në këto kushte e gjithë Komuna e Velipojës është pothuajse tërësisht e izoluar. Aktualisht nga mjetet e ushtrisë përdoret një rrugë dytësore për të shkuar në Velipojë, por edhe kjo rrugë është mjaft problematike. Ndërkohë në Komunën e Velipojës, fshati më problematik ngelet Rjolli. Ura e këtij fshati dhe të gjitha shtyllat elektrike janë shembur nga prurjet e mëdha në lagunën e Vilunit, duke izoluar tërësisht këtë zonë. Ndërsa zonat e Mbishkodrës vazhdojnë të kenë probleme me dëborën. Kështu Vermoshi në Malësi të Madhe, Thelli në Dukagjin, Iballa në Pukë janë tërësisht të izoluara nga trashësia e borës.