E Shtunë, 31 Tetor 2026

Administrata publike në një shkollë rajonale

Rreth 200 punonjës të Administratës Publike do të trajnohen çdo vit nga Shkolla Rajonale e Administratës Publike (ReSPA). Kjo, pas marrëveshjes së nënshkruar ditën e djeshme në Podgoricë, Mal i Zi, nga zëvendësministri i Brendshëm, Gent Strazimiri.

Marrëveshja e Themelimit të Shkollës Rajonale të Administratës Publike është nënshkruar nga Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Kroacia, Maqedonia, Serbia dhe Mali i Zi. Kjo shkollë është një iniciativë e përbashkët e Bashkimit Evropian dhe OECD-së, financuar kryesisht nga BE.

Zëvendësministri i Brendshëm, Strazimiri, duke përshëndetur nënshkrimin e Marrëveshjes së Themelimit të Shkollës Rajonale të Administratës Publike, pohoi se qeveria shqiptare është e angazhuar të respektoj dhe të kontribuoj mbi këtë marrëveshje, pasi Shkolla Rajonale e Administratës Publike siguron trajnim për grupe të përzier të punonjësve të shërbimit publik, nëpërmjet seminareve dhe shkollave verore/dimërore, si dhe nëpërmjet skemave të lëvizjes, duke u dhënë mundësi punonjësve të shërbimit publik të përfitojnë eksperienca të vendeve të ndryshme.

Në këtë kuadër, ReSPA vepron për të përmirësuar kuadrin institucional për menaxhimin e trajnimit dhe edukimit të cilësisë për administratën publike. ReSPA stimulon bashkëpunimin ndërmjet institucioneve publike të vendeve të mësipërme dhe institucioneve të ngjashme të Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian.

Qendra e Shkollës Rajonale të Administratës Publike do të jetë në Danilograd, Mal i Zi. Trajnimi dhe ngritja profesionale e punonjësve të administratës shqiptare konsiderohet si një ndër faktorët e rëndësishëm në raport-vlerësimet e Bashkimit Evropian lidhur me proceset integruese, ku është përfshirë Shqipëria. Ndërkohë që, një pikë delikate e diskutuar mbetet edhe ndryshimi i administratës sipas prirjeve politike, pas ndryshimit të pushteteve. Aktualisht pjesa më e madhe e nëpunësve të administratës janë "të mbrojtur" nga statusi i shërbimit civil.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›